GK-ja dënon gjuhën skandaloze, kërcënuese dhe nxitëse të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon fuqishëm fyerjet dhe kërcënimet e përsëritura të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ndaj mediave, përfshirë një deklaratë skandaloze të bërë këtë të mërkurë.

Gjatë një pyetje drejtuar atij nga gazetarja e Gazeta Nacionale, Besarta Hoti, Kurteshi është përgjigjur me fjalët: “Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë.”

AGK-ja e konsideron këtë deklaratë si të papërgjegjshme, të papranueshme dhe të rrezikshme. Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve.

Për më tepër, Kurteshi ka përdorur edhe gjuhë seksiste, duke i thënë gazetares “ta hangsha loçkën”, një shprehje e padenjë dhe e papërshtatshme për çdo komunikim institucional.

AGK-ja i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që urgjentisht të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave. Sulmet verbale ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë seriozisht lirinë e medias në Kosovë. /Demokracia.com/