“Fitorja mbetet në Prishtinë”, Kombëtarja e hendbollit e gatshme për sfidën me Ukrainën

Kombëtarja e Kosovës në Hendboll do të zhvillojë të enjten mbrëma ndeshjen vendimtare për kualifikim në Kampionatin Evropian ‘Euro 2026”.

“Dardanët” e presin në Prishtinë Kombëtaren e Ukrainës, sfidë e cila nis nga ora 20:15 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, raporton KosovaPress.

Gjatë katër ditëve të fundit, djelmoshat e Kosovës janë stërvitur intenzivisht nën urdhrat e trajneri Bujar Qerimi i cili është optimistë për sukses në ballafaqim me ukrainasit. Ai duke folur për KosovaPress shprehet i bindur se fitorja do të mbetet ën Prishtinë

“Qëllimi ynë është fitorja. Pikën që e kemi fituar me Holandën është e vlefshme në rastin e fitores, po mendoj në bindjen e plotë që duhet ne të fitojmë sepse e meritojmë dhe kemi kualitetin, jo për diçka tjetër por kualiteti është dhe mundësitë. Rivaliteti përafërsisht jemi njëjtë, pa e nënçmuar Ukrainën sepse edhe ata kanë lojtarë jashtëzakonisht shumë të mirë por besoj që fitorja do të mbetet në Prishtinë”, thotë Qerimi.

Njëra nga pikat kryesore të Kosovës është portieri Haris Berisha. Ai shprehet i bindur se skuadra që luan para tij ka kalitet për të arritur suksesin kulminant duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2026 dhe kështu të futet në histori.

“Momentalisht kjo është ndër gjeneratat që ka arritur një sukses deri më tani por suksesi kulminant mungon ende dhe atë shpresojmë që me këtë ekip që e kemi tani, me këta lojtarë që jemi tani ta arrijmë dhe shpresoj nuk do të dështojmë në këtë aspekt”, deklaron Berisha.

Kurse hendbollisti Valon Dedaj ka kërkuar mbështetje sa më të madhe nga ana e tifozëve në tribina, derisa shton se ky është një moment historik dhe mundësi e madhe që Kosova të luajë në Euro 2026.

“Kjo është mundësi e madhe që e kemi pas barazimit me Holandën dhe është mundësi e madhe për t’u kualifikuar në Euro 2026. Kur të luajmë në Kosovë e luajmë gjithmonë hendbollin e mirë, kemi tifozët e mirë dhe kjo është mundësia e madhe që e kemi këtë vit për t’u kualifikuar…Shpresoj që të vijnë shumë tifozë, pa tifozë është edhe më e vështirë të luajmë kundër Ukrainës”, ka theksuar Dedaj

Në grup me Kosovën është edhe Kombëtarja e Holandës, ndaj së cilës Kosova mori një pikë nga ballafaqimi me ta.