Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i është përgjigjur selektorit të Kombëtares U-21 të Kosovës, Afrim Tovërlani, për akuzat që i hodhi ky i fundit pas vendimit të Etnik Brrutit për ta lënë ekipin e tij dhe për ta përqafuar Kombëtaren shqiptare.
Trajneri kosovar hodhi akuza të rënda për futbollistin e Malishevës, deri dje kapiten i ekipit të tij, duke e quajtur atë tradhtar dhe të pabesë, por edhe ndaj Dukës dhe FSHF-së, nga të cilët kërkoi që të ndalet marrja e lojtarëve nga Kosova, e cila sipas tij, nuk mund të prodhojë lojtarë për dy Kombëtare.
“Nuk besoj se ka futbollistë që e kanë ëndërr të shkojnë në Rusi, po pa dyshim që nuk mund ta refuzojë një klub rus. Futbollistët kanë ëndërr të shkojnë në perëndim, në Angli, Gjermani, Itali, Spanjë, Spanjë. Por nëse karriera i çon në Rusi, mund të luajnë dhe aty. Nuk është ai qëllimi, qëllimi i djalit është që i ka pëlqyer të luajë me Shqipërinë. Ka dhe një shans të madh, ne do jemi pjesë e Kampionatit Evropian U-21 2027. Nëse e vazhdon karrierën mirë, do të luajë në finalet e këtij kampionati, në karrierë nuk të jepet shumë mundësia kur luan me ekipe relativisht të mesme apo të vogla”, deklaroi fillimisht Duka në “Nazarko Podcast”.
“Çfarë i ofron Brruti Sylvinhos? Teknikisht nuk e njoh, vendosin trajnerët, drejtori teknik i FSHF-së. Nuk e kam parë ndonjëherë. Nuk kam formimin e duhur për ta njohur teknikisht”, përfundoi Duka.