Me pompozitet e duke shpërfillur kontestet pronësore, Komuna e Prishtinës i ka nisur punimet për sheshin “Xhorxh Bush”. Por, nuk është mjaftuar me kaq. Projekti 18.4 milionësh është në kundërshtim edhe me Ligjin për Trashëgimi Kulturore. S’ka pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe të martën i është bërë e ditur se projekti atakon katër monumente. Njësoj kishte vepruar edhe me “Ishullin urban Arbëri – Pallati i Rinisë”, që peshon 6.5 milionë euro e për të cilin kryetari Përparim Rama tashmë ka një kallëzim penal.
Komuna e Prishtinës ua ka “prerë shiritin” punimeve për sheshin “Xhorxh Bush” duke mos përfillur Ligjin për Trashëgimi Kulturore në raport me katër monumente. Të hënën kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka promovuar nisjen e punimeve pa marrë pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Punimet në këtë bulevard zhvillohen midis monumenteve si hoteli “Grand”, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosova dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Kjo nuk është hera e parë që Komuna hyn në marrëdhënie kontraktuale milionëshe dhe nis punime në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore.
“100 Ndërtimi i sheshit Xhorxh Bush” titullohet projekti i nisur. Ligji për Trashëgiminë Kulturore, i miratuar qysh më 2006, përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore ose ato afër tyre kërkohet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent. Në këtë rast institucion kompetent është Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
“Komuna nuk e ka sjellë këtë projekt për miratim te ne, pavarësisht se projekti kufizohet me katër monumente. Sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore, duhet miratuar projekti paraprakisht”, kanë thënë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Projekti për të cilin është kontraktuar kompania nga Shqipëria “Salillari” dhe disa kontraktues të tjerë nga Kosova ka peshë financiare prej 18 milionë e 400 mijë eurosh.
Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë të martën i është drejtuar me shkresë Komunës së Prishtinës duke ia bërë të ditur se duhet pajisur me pëlqim për këtë projekt pasi atakon katër monumente. Po ashtu QRTK-ja i është drejtuar me shkresë edhe Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore duke i kërkuar që të merren masa.
KOHA ka marrë vesh se Inspektorati është në shqyrtim të lëndës.
Projekti pos Bulevardit prek edhe hapësirën para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata të tilla duhet leje me shkrim.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Ligji specifikon edhe zonën e mbrojtur përreth monumenteve.
“Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për planifikim hapësinor, shkruhet në nenin 6 të ligjit.
Në ditën e nisjes së punimeve kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte thënë se s’ka telashe për nisjen e punimeve, kur i ishin përmendur edhe kontestet pronësore.
“Nuk ka asnjë problem për ta shtyrë përpara. Normal se kemi zëra të ndryshëm, mendoj pa asnjë arsye. Mirëpo, ne po vazhdojmë punimet për të mirën e të gjithë qytetarëve tanë. Unë e diskutova, kjo është e shqyrtuar, nuk shohim asnjë problem në këtë aspekt. Nuk ka asnjë problem”, kishe thënë ai.
Drejtori i Drejtorisë së Transformimit në kryeqytet, Gëzim Kastrati, të martën vonë ka thënë se “për një projekt kaq inovativ me kaq shumë vlera si për ambientin, qytetin, qytetarët, të shikohet nga ai prizëm është shumë e çuditshme, për më tepër ironike…”
“Sot kemi pranuar një shkresë nga IKMM se projekti atakon asetet e trashëgimisë duke iu referuar objektit të RTK-së dhe hotelit ‘Grand’! Ju lutem pas hulumtimeve dhe analizave shumëvjeçare me ide e propozime nga studentë, universitete dhe profesionistë të fushës kemi një projekt që mbi një vit prezantohet nga Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit dhe është premtim i mandatit të kryetarit Rama”, ka thënë Kastrati.
Sipas tij, ky projekt përveçqë reflekton vlerë të lartë urbanistike ndikon fuqishëm në përmirësimin dhe ngritjen e kualitet të zonës urbane “Qendra 1”.
“Kryeqyteti dhe qytetarët e meritojnë një jetesë dhe bulevard të dinjitetshëm. Për më tepër, ky projekt i komplementon dhe i vë në pah të gjitha ndërtesat që janë në listën e aseteve të trashëgimisë kulturore. U jep hapësirën e merituar përreth dhe i çliron nga degradimet e vazhdueshme”, ka thënë ai. Sipas Kastratit, duke qenë edhe vetë i profesionit të fushës bashkë me kolegët i kanë kushtuar kujdes të veçantë atakimit të objekteve të mbrojtura.
“I kemi ruajtur dhe trajtuar në mënyrën më të mirë të mundur vetëm që ato të kenë qasje pa barriera dhe të lehta për të gjitha grupet e moshave pa dallim, me shumë hapësira me gjelbërim duke ndikuar dukshëm në krijimin e mikroklimës, si dhe zëvendësimin e materialeve inerte kancerogjene, si asfalti me materiale bio-natyrale”, ka thënë Kastrati. Sipas tij, Bulevardi do t’i mbërthejë të gjitha objektet dhe do të krijojë një hapësirë urbane dhe publike me ndikim të lartë në çështje sociale e kulturore të shoqërisë.
“Sa për ilustrim, që tani e dy vjet nga mbyllja, shihet dukshëm rikthimi i habitatit të 3 llojeve të shpezëve që nuk kanë qenë prezente për shume vjet në zonën e parë të Qendrës”, ka thënë Kastrati.
Komuna ka përvojë jo të vogël të lidhjes së kontratave e nisjes së punimeve pa marrë pëlqimet e përcaktuara me ligj nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Vjet Komuna kishte nisur realizmin e “Ishullit urban Arbëri – Pallati i Rinisë” duke manovruar me vendin ku planifikohej të nisnin punimet. Tabelat informuese për projektin Komuna i kishte vendosur matanë hekurudhës e rrugës automobilistike. Aty qenë pozicionuar edhe mjetet e rënda për të inauguruar punimet. Por, hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.
Meqenëse edhe Pallati i Rinisë dhe Sportit mbrohet si monument, Inspektorati i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i kishte ndalur punimet që me vënien e tabelave pasi Komuna s’kishte përfillur përcaktimet ligjore për marrjen e pëlqimeve nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Pasi i ishin ndërprerë punimet, nëpërmjet të cilave Komuna po bëhej gati për inaugurim të fillimit të projektit, institucioni kishte gjetur një zgjedhje: kishte zhvendosur tabelat matanë rrugës e hekurudhës dhe i kishte nisur punimet në “Arbëri”. E më pas kishte aplikuar për pëlqim, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka refuzuar projektin me arsyetimin se është duke u hartuar Plani i Konservimit të Zonës Historike të Prishtinës dhe se projekti i Komunës duhet rishikuar. Komuna është ankuar për këtë vendim. Projekti ka kosto 6.5 milionë euro dhe mbi një milion tashmë i janë paguar kontraktuesit, megjithëse puna nuk vazhdon. “Ishulli…” kalon edhe nëpër hapësirën e dedikuar për Teatër të Operës dhe Baletit.
Ministria e Kulturës ka ushtruar kallëzim penal për këtë rast ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për “cenim të 2.5 milionë eurove”, sa kushton projekti për Teatër të Operës dhe Baletit.
Ka qenë fillimi i shkurtit kur u prezantua projekti ideor për Teatrin e Operës dhe Baletit me kosto prej 2 milionë e 450 mijë eurosh e MKRS-ja bëri të ditur se ka ushtruar kallëzim penal për kryetarin Përparim Rama.
Komunës IKMM-ja nuk ia ka miratuar as projektin për nënkalim në rrugën “Agim Ramadani”. Por, pavarësisht kësaj, të martën ka hapur tender në vlerë të parashikuar 6 milionë euro për këtë projekt. /Koha.net