Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, partia e të cilit doli e para në zgjedhje, por me rezultat të pamjaftueshëm për të formuar Qeverinë, është duke vazhduar të prolongojë përfundimin e zgjedhjeve.
Ndonëse sulmet e Kurtit mbi institucionet e drejtësisë janë të shpeshta, Vetëvendosje është duke vazhduar të përdorë të drejtën e ankesës pikërisht në institucione gjyqësorë, siç janë PZAP dhe Gjykata Supreme, shkruan Demokracia.com.
Së fundmi, Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Supreme për të kundërshtuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që më 9 mars ia rrëzoi kërkesën për të anuluar rezultatin e zgjedhjeve të votimit me postë dhe përsëritjen e tij.
Çuditërisht, Kurti ka kërkuar Rivotim vetëm në votimin me postë, aty ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm, por nuk ka kërkuar Rivotim edhe për votimin në Përfaqësitë Diplomatike aty ku Vetëvendosje ka pushtetin dhe kishte fituar me rezultat të dyshimtë, 80,71%.
Ashtu siç ka paralajmëruar prej disa ditësh Demokracia.com, kryeministri në detyrë, Albin Kurti është duke lëvizur çdo gurë për të vonuar përfundimin e procesin zgjedhor të 9 shkurtit.
Përpjekjet e tij për të shtyrë me çdo kusht dhe çdo mundësi përfundimin e procesit zgjedhor, janë dëshmi e qartë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk mund ta bëjë Qeverinë e re, pasi që askush nga partitë aktuale opozitare nuk dëshiron bashkëpunimin me të.