Dhjetëra burra me uniforma ushtarake dhe anëtarë të shpërbërë të Njësisë për Operacione Speciale kanë arritur në parkun Pionir të Beogradit, ku kanë ngritur çadra. Ky është vendi ku protestojnë “studentët” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit që mbështesin regjimin e tij.
Mediat proqeveritare raportuan se veteranët kanë ardhur për të mbështetur “studentët që thjesht duan të mësojnë”.
Siç shihet në një nga pamjet filmike, një nga burrat me uniformë hyri në debat me qytetarët nga ana tjetër e gardhit, të cilët kundërshtojnë regjimin e Vuçiwit. Ai i kërcënoi njërin prej tyre duke tundur gishtin tregues dhe i tha se “Do të të rruajmë”.
Njerëzit e pyetën më pas se çfarë kishte ndodhur me këmbën e tij dhe nëse ishte lënduar gjatë ndonjë leksioni.
Ai menjëherë vrapoi drejt gardhit dhe e goditi fort një person me shkop. Nga goditja, telefonit të viktimës i ra nga dora.
Burri që u filmua duke kërcënuar dhe duke tundur shkopin ndaj të pranishmëve është identifikuar si Zivojin Zika Ivanoviq, i njohur si Zika Crnogorac, kolonel në pension i “Beretave të Kuqe” dhe pjesëmarrës në luftërat në ish-Jugosllavi.
Sipas informacioneve të N1, mes veteranëve me uniforma ishte edhe Zeljko Benak, i cili deri në vitin 2013 ishte aktiv në rrjetin social X. Ai kishte deklaruar në vitin 2012 se ishte anëtar i SNS-së për shkak të ministrit të atëhershëm, Aleksandar Vuçiq dhe presidentit, Tomislav Nikoliq.
Zika Crnogorac mori pjesë në rreshtimin e njësisë para Slobodan Millosheviqit në Kullë (Mal të Zi) në vitin 1997, një ngjarje e dokumentuar edhe në video.
I njëjti burrë u filmua edhe në shtator të vitit të kaluar me nënkryetaren e Qeverisë Krahinore, Sandra Boziq, gjatë vizitës në stendën e “Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe” në tubimin “Krajisnikët dhe miqtë” në Kovilovo