Rinumërim e pritje të afatit për ankesa, KQZ ende pa rezultate përfundimtare- zvarritje të reja të procesit

Asnjëherë më shumë s’janë vonuar rezultatet përfundimtare sesa në këto zgjedhje. Pas përfundimit të numërimit, kanë pasuar ankesat e rekomandimet. Aktualisht janë dy çështje të hapura, rinumërimi i 50 vendvotimeve dhe pritja e afatit për ankesa në Supreme për vendimin e PZAP’it që të hapen 177 kuti nga votimi jashtë Kosovës. A po zvarritet procesi?

Të mërkurën e 5 marsit ka përfunduar numërimi i të gjitha fletëvotimeve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në këtë datë ishte planifikuar që të shpalleshin rezultatet përfundimtare, mirëpo një gjë e tillë s’ndodhi.

Pas përmbylljes së procesit të numërimit, pati ankesa.

Dje në mbledhjen e KQZ’së, anëtari i PDK’së, Arianit Elshani ka prezantuar dy rekomandime. Rekomandimi i parë ishte që të rinumërohen 15 kuti votimi pasi sipas tij ka pasur mospërputhje në listën e nënshkrimeve.

“Janë identifikuar 15 vendvotime në të cilat ka mospërputhje mes një nënshkrimi dhe dy nënshkrime, pra dy nënshkrime në listën e nënshkrimeve dhe një fletëvotim ose dy më pak, ose më shumë, në kutinë e votimit”, tha Elshani.

Rekomandimi i dytë ishte për rinumërimin e 35 kutive në komunën e Vushtrrisë, të cilat më herët ishin numëruar me vendim të prokurorit. Ky rekomandim ka të bëjë me mospërputhje që kishte në rezultatet e kandidatëve për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Këtë raport të mospërputhjeve apo të ndryshimeve mes rezultateve në Qendrat Komunale të Numërimit dhe rezultatet e dala nga hetimi në Qendrën për Numërim dhe Rezultate ka ardhur si rekomandim që 35 vendvotime për të cilat vërehet, pra është me e dukshme diferenca mes votave të kandidatëve, të shkojnë në rinumërim të plotë në Vushtrri për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët”, tha Elshani.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ’së, Besnik Buzhala, tha se janë të gatshëm që dje të nisin rinumërimin e këtyre kutive të votimit. Ashtu edhe ndodhi.

KQZ dje njoftoi se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i rinumërimit të fletëvotimeve nga 50 vendvotime të rregullta.

Një çështje tjetër është edhe vendimi i PZAP’së pro VV’së që të hapen 177 kuti të votimit nga votimi jashtë Kosovës, për të rinumëruar 1,631 fletëvotimet e pavlefshme.

Buzhala tha se po presin që të përfundojë afati i ankesave në Supreme.

“Nesër mund të fillojmë me hapjen e 177 kutive me qëllim vlerësimin e fletëvotimeve të pavlefshme në përputhje me vendimin e PZAP’së, ose më së voni të mërkurën në mëngjes”, tha ai.