Hyseni thotë se pa opozitën Kurti mund ta bëjë qeverinë “me blerje të deputetëve”

Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti duhet të tregojë për formën se si do ta bëjë Qeverinë pa partitë opozitare. Ai ka shtuar se Kurti këtë do të mund ta bënte “vetëm duke blerë ndonjë deputet”, derisa shtoi se ai s’po i pranon partitë opozitare për shkak të të bëmave në të kaluarën.

“Vetëvendosje vazhdon të jetë larg partia kryesore. S’më pëlqen, por është kështu. Në anën tjetër, kur flasim për demokraci në sistemin tonë qeverisës, Kosova është shtet parlamentar ku qeveris ai që e ka shumicën në Kuvend, e jo ai që është i pari. Nuk qeveriset me renditje, por me shumicë në Kuvend…I pari e ka përparësinë e rastit dhe nis rrjedhja e afatit. Nëse nuk krijojnë shumicë, vazhdon…Kurti duhet të tregojë…vetëm me blerjen e ndonjë deputeti. Kurti po thotë që nuk i marrë partitë e opozitës në emër të të bëmave të tyre. Ndërkohë, përmes kontrabandimit (të deputetëve v.j.) i merr më të këqijat e tyre për vete”, ka thënë Hyseni të hënën në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai ka shtuar se ky skenar i Kurtit “është momenti më i ulët për Kosovën”, teksa theksoi se ai s’do ta zgjedhë asnjë mjet që ta mbajë pushtetin.

Hyseni i PSD-së ka potencuar se edhe partitë opozitare kanë shumicë parlamentare për krijim të qeverisë, derisa shtoi se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) gaboi që s’e lëshon postin e kryeministrit.

Hyseni ka shtuar se do të ishte moment i rrezikshëm për Kosovën nëse Kurti do të ishte kryeministër gjatë Administratës Trump. Ai shtoi se Kosova do të duhej të shqyrtonte ripërcaktimin e kufijve.

“…Saherë PSD-ja ka folur për një paqe të përhershme, na është thënë se s’ka mbështetje ndërkombëtare…Ndoshta ky është një moment (për ripërcaktim të kufijve v.j.)”, ka deklaruar ai.

Hyseni ka shtuar se VV-ja doli e para në zgjedhje edhe për shkak të situatës në veri.