Për çfarë po akuzohet kompania që nisi sot ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’?

Komuna e Prishtinës, nën udhëheqjen e Përparim Ramës, ka nisur ndërtimin e sheshit Xhorxh Bush, shkruan Demokracia.com.

Zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës pati shpallur konsorciumin e kompanive ‘Salillari’ SHPK, ‘Gjini Construction’ dhe ‘Hidroterm’ si fitues me një ofertë prej 18 milionë e 162 mijë euro.

Lider i grupit është kompania nga Shqipëria, “Salillari”.

Kush është “Salillari”?

E themeluar në vitin 1994 në Berat, kjo kompani ndërtimi ka kryer punë të shumta në Shqipëri, por në disa raste në Kosovë. Administratori aktual i kompanisë është Bledar Starova, ndërsa pronar më 100 të aksioneve mbetet Pëllumb Salillari.

Në fund të muajit nëntor 2024, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur Pëllumb Salillarin dhe Bledar Starovën për ndërtim pa leje të një pallati në zonën e Liqenit të Thatë, me vlerë 12 milionë euro.

Gjykata e Tiranës ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kompanisë “Salillari” dhe ish-administratorit të saj, Lulzim Salillari – i cili është edhe vëllai i pronarit të kompanisë, Pëllumb Salillari. Ata akuzohen për “ndërtim të paligjshëm me qëllim përfitimi”.

Kërkesa për gjykim ishte dorëzuar në shkurt 2024, por pas disa shtyrjesh, gjykata vendosi në nëntor 2024 që çështja të kalojë për shqyrtim në themel.

Kompania “Salillari” dhe drejtuesit e saj akuzohen se kanë ndërtuar disa kate pa leje në një godinë pranë Kopshtit Botanik, në zonën e Farkës në Tiranë, me një sipërfaqe totale prej rreth 2500 metra katrorë.

Sipas njoftimeve, hetimet nisën pas denoncimeve të disa qytetarëve nga zona e Kopshtit Botanik në Tiranë.

Njoftimi i prokurorisë në nëtor 2024:

Në datën 06.07.2022, shërbimet e Postës së Policisë Farkë pranë Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë janë njoftuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në portalin e policisë së shtetit “Komisariati Dixhital” ka disa njoftime nga banorë të zonës së kopshtit Botanik rruga “Bilal Sina”, Njësia administrative Nr.13 Tiranë, ku thuhej së subjekti “Salillari” shpk po ndërton pallate pa leje.

Në pjesën e përparme të pallatit në krahun përball kopshtit zoologjik gjendet e fiksuar në një llamarinë e afishuar leja e ndërtimit nr.prot X-13444/6 datë 27.11.2020lëshuar nga Bashkia Tiranë ku thuhet se punimet kryhen nga shoqeria “Salillari” shpk, do të ndërtohet një godinë banimi dhe shërbimi 1,4 dhe 7 kate me 1-5 kat parkim dhe shërbim nëntokë me afat kryerjen e punimeve 60 muaj si dhe një foto e pamjes së jashtme të projektit të godinës.

Referuar aktit të konstatimit të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit rezulton se gjatë kontrollit të ushtruar në objektin me leje ndërtimi nr.X-13444/6 datë 27.11.2020 të objektit “Godinë banimi dhe shërbime1,4 dhe 6 kat me 1-5 kat parkim dhe shërbime nëntokë u konstatua ndryshim nga projekti i miratuar duke realizuar sipërfaqe shtesë në shkelje të kushteve të lejës së ndertimit ku sipas lejes totale sipërfaqe ndërtimore mbi tokë është 10516.29m2 dhe gjëndje faktike 12960.41m2 pra shtesë ndërtimi 2444.12m2.

Referuar lejes së ndërtimit me nr.prot X-13444/8 datë 27.11.2020 të Bashkisë Tiranë për objektin e sipërcituar me subjekt ndërtues “Salillari” shpk rezulton se leja e ndërtimit është “Godinë banimi dhe shërbimi 1,4 dhe 6 kate, me 1-5 kat parkim dhe shërbim nëntokë” në pronë të z.Erald Kamberi, z.Ermal Alla dhe z.Ervis Kamberi.

Kush e drejton “Salillarin”?

Bazuar në të dhënat e “Opencorporates.al”, më 31.07.2003, u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit vendimi që administrator i shoqërisë të jetë Pëllumb Salillari, ndërsa Isuf Ferra kishte të drejtën e përfaqësimit.

Më 03.05.2011, si administratorë të kompanisë u riemëruan Pëllumb Salillari dhe Isuf Ferra.

Më 24.05.2014, Isuf Ferra u largua nga detyra e administratorit, duke lënë Pëllumb Salillarin si të vetmin administrator.

Më 02.06.2017, Pëllumb Salillari u largua dhe u emërua në vend të tij Lulzim Salillari.

Më 10.05.2023, Lulzim Salillari u largua dhe si administrator i ri u emërua Bledar Starova, i cili ka firmosur edhe kontratën për tenderin 18 milionë eurosh në Prishtinë.

Zotëruesi i 100% të aksioneve të kompanisë “Salillari” mbetet Pëllumb Salillari.

Lidhjet me kompanitë në Kosovë

Demokracia.com kishte raportuar se, përveç “Salillari”-t, pjesë e konsorciumit që fitoi tenderin e sheshit Xhorxh Bush janë edhe ‘Gjini Construction’ dhe ‘Hidroterm’.

Të dyja këto kompani janë të lidhura me familjarë të Blerim Kuçit, ish-kryetar i Suharekës nga AAK-ja.

Pronar i “Gjini Construction” SHPK është kompania “Hidroterm Holding”.

“Hidroterm Holding” është regjistruar më 6 nëntor 2024 në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK). Pronarët janë: Genc Kuçi, djali i Blerim Kuçit (71.97% e aksioneve), Blerta Kuçi, vajza e Blerim Kuçit (22.73% e aksioneve), Nol Pal, dhëndri i Blerim Kuçit.

AAK-ja është ne koalicion qeverisës në Komunën e Prishtinës së bashku me LDK e Përparim Ramen. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

Koalicioni LDK-AAK në Prishtinë jep frytet: Kompanitë e afërta me pushtetin shpallen fituese të tenderit 18.4 milionë euro