Hargreaves thotë se nëse ka më shumë përfaqësim të grave në qeverisje, qeverisja është më transparente

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në fjalën e tij gjatë prezantimit të Rrjetit të Grave në pozita vendimmarrëse në administratë publike dhe institucione te pavarura, tha se në Kosovë është bërë arritje e madhe, e posaçërisht kur bëhet fjalë për të drejtat e grave, fuqizimin, por edhe në mënyrë të veçantë, agjencitë dhe dikasteret e ndryshme.

Sipas tij, më nuk bëhet fjalë vetëm për çështje të barazisë, por edhe të cilësisë në mënyrën e vendimmarrjes dhe udhëheqjes.

“Pra nga 38 pozitat e kryeshefave ekzekutiv, vetëm 7 janë gra”, tha diplomati britanik.

Por, sipas tij, kur bëhet fjalë për emërimin e grave në ndërmarrje, janë diku rreth 40 për qind, e që sipas tij është arritje shumë e mirë.

“Pse është kjo me rëndësi, jam i bindur se të gjithë e dini përgjigjen për këtë. Është me rëndësi për ju, për familjet tuaja, por mbi të gjitha është për të pasur barazi në qeverisje. E dimë që nëse ka më shumë përfaqësim të grave në qeverisje, qeverisja është më transparente, ato kanë më pak gjasa të korruptohen e janë më të vëmendshme ndaj nevojave të grave”, tha Hargreaves.

Ambasadori tregoi se gjatë muajve të fundit ka qenë shumë i interesuar të kuptojë ndikimin që ka bërë puna e Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve të shumta me rekrutim mbi baza të meritës, e që sipas tij e ka përmirësuar mundësinë e përfshirjes së grave në punësim në institucione publike.

“Dhe më duket se kur ka procese të drejta dhe transparente në rekrutim, atëherë mund të emërohen e caktohen gra edhe në pozita udhëheqëse, sikurse auditore, sekretare të përgjithshme, kryetare të bordeve të ndërmarrjeve”, tha ai.