Sa peshon Prishtina në letër?

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) vazhdimisht adreson gjetjet lidhur me mosregjistrimin e pasurisë nga institucionet publike. Si rezultat, gjatë viteve të fundit, institucionet kanë shënuar përmirësime në këtë proces, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Prishtinës ka raportuar një vlerë totale prej mbi 2.55 miliardë eurosh në pasuri jofinanciare për vitin 2024, sipas raportit financiar të publikuar së fundmi për vitin 2024.

Ky raport që e ka parë Demokracia.com, përfshin pasuritë kapitale me vlerë mbi 1,000 euro si dhe inventarin e përgjithshëm të komunës.

Sipas të dhënave zyrtare, pjesën më të madhe të kësaj shume e zë toka e regjistruar në pronësi të komunës, e cila arrin vlerën e 2,244,451,162.46 euro. Pas saj vijnë ndërtesat me një vlerë prej 159,578,585.83 euro, si dhe infrastruktura, e cila llogaritet në 117,232,658.58 euro.

Përveç këtyre, në raport figurojnë edhe:

  • Pajisjet – 5,015,676.87 euro
  • Makineria – 1,520,776.47 euro
  • Automjetet – 314,493.41 euro
  • Projektet urbanistike – 7,799,123.61 euro
  • Pasuri të tjera – 15,876,562.32 euro

Në total, pasuritë kapitale të Komunës së Prishtinës të regjistruara për vitin 2024 kapin vlerën e 2,551,789,039.55 euro.

Inventari dhe pajisjet: Mbi 3.4 milionë euro të regjistruara

Përveç pasurive kapitale, raporti përfshin edhe asetet me vlerë më të vogël se 1,000 euro, të cilat regjistrohen si inventar i komunës. Këto përbëjnë një total prej 3,423,170.15 euro dhe përfshijnë:

  • Inventari i përgjithshëm – 1,577,230.54 euro
  • Pajisjet shëndetësore – 202,332.97 euro
  • Pajisjet e teknologjisë së informacionit (TI) – 316,323.64 euro
  • Pajisjet elektrike – 107,632.07 euro
  • Pajisje të tjera – 1,219,650.93 euro

Të dhënat e këtij raporti ofrojnë një pasqyrë të pasurisë në pronësi të Komunës së Prishtinës. Shifra e përgjithshme prej mbi 2.55 miliardë eurosh reflekton regjistrimin dhe vlerësimin e aseteve të ndryshme, nga tokat dhe ndërtesat publike deri te infrastruktura dhe pajisjet e shërbimeve komunale.

Ndërsa vlera në letër e pasurive është e lartë, sfida mbetet se si këto asete po shfrytëzohen në praktikë për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të Prishtinës. Investimi në infrastrukturë dhe pajisje moderne është një indikator i rëndësishëm për funksionimin e shërbimeve komunale, ndërsa menaxhimi i këtyre pasurive mbetet një faktor kyç për zhvillimin e kryeqytetit.

Pasuria e regjistruar në letër e Komunës së Prishtinës, si kryeqyteti i Kosovës, lë shumë për të dëshiruar krahasuar me kryeqytetet e tjera evropiane. Me një vlerë totale prej rreth 2.55 miliardë euro, pasuria jofinanciare e regjistruar e Prishtinës mbetet e ulët jo vetëm në raport me qytetet kryesore të rajonit, por edhe me disa komuna më të vogla në vendet evropiane. Ndërkohë që në metropole të zhvilluara të Evropës vlerësimi i aseteve publike arrin dhjetëra apo qindra miliarda euro, pasuria e Prishtinës në letër reflekton mungesën e investimeve afatgjata, menaxhimin joefikas të pronave publike dhe një qasje të dobët ndaj zhvillimit të infrastrukturës. /Demokracia.com/