VV, pasi PZAP nuk ia pranoi ankesën për rivotim: Arbitrare dhe e pashpjegueshme, do të ankohemi

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili e ka konsideruar të paafatshme ankesën e partisë për anulimin e fletëvotimeve të dërguara me postë dhe rivotimin përmes postës.

Sipas VV-së, ky vendim përfaqëson një “pozicion arbitrar dhe të pashpjegueshëm të PZAP”, duke e akuzuar këtë institucion se po shmang vendimin për rivotimin me postë.

“Njoftimi i sotëm nga ana e PZAP-së se ankesa jonë për anulimin e fletëvotimeve të dërguara me postë dhe rivotimin përmes postës është e paafatshme, është pozicion arbitrar dhe i pashpjegueshëm i PZAP.
Vendimi në fjalë nuk respekton njoftimin zyrtar të KQZ për momentin e përfundimit të të gjitha numërimeve në QNR dhe kështu bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, rregullat e KQZ-së, si dhe me praktikat e deritanishme të parashtrimit e shqyrtimit të ankesave për cënim të procesit zgjedhor.”