Udhëzuesi për ndalimin e telefonave në institucione arsimore nuk është duke gjetur zbatim të plotë.
Shkak i moszbatimit të këtij udhëzimi janë masat e ndalimit, që sipas shkollave nuk mund të realizohen në praktikë.
Sipas këtij udhëzuesi, nëse një nxënësi i konfiskohet telefoni më shumë se një herë, menaxhmenti i shkollës është i detyruar ta dorëzojë pajisjen në Polici.
“Në rastet kur nxënësi e përsërit veprimin e ndaluar për posedimin e telefonit celular në ambientet e institucionit edukativ-arsimor, drejtoria e shkollës e sekuestron të njëjtin dhe e dorëzon sipas procedurës ligjore në policinë e shtetit. Ndërsa, ndaj nxënësit përkatës merren masa edukative-disiplinore sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në udhëzues.
Mirëpo sipas menaxhmenteve të shkollave, Policia nuk i pranon telefonat e konfiskuar nga nxënësit, me arsyetimin se nuk ka kompetencë për ta bërë një gjë të tillë, shkruan Koha.
Policia nuk ka kthyer përgjigje për të sqaruar nëse përgjegjësia e vendosur ndaj saj në udhëzues përkon me kompetencat që ka.
Por, sipas juristit Ardian Bajraktari, kjo përgjegjësi nuk është në domenin e Policisë.
“Fillimisht duhet të ndodhë një veprim i caktuar sipas të cilit dyshohet që ka elemente për ndonjë nga veprat penale përmes të cilave natyrisht që telefoni mund të jetë mjet i kryerjes ose mjet me cilin mund të sigurohet ndonjë provë në këtë drejtim, si rregull Policia natyrisht se vepron në urdhrat e prokurorit, shtetit ose gjykatës, por në rrethana përjashtuese mund të marrë edhe vetë këtë veprim nëse eventualisht ka bazë se ato prova mund të asgjësohen”, ka thënë juristi Bajraktari.
E drejtoresha e shkollës “28 Nëntori”, Zyrafete Kafexholli, shtron nevojën e një udhëzuesi të ri që u përshtatet zhvillimeve të kohës.
“Tani që teknologjia ka marrë një zhvillim jashtëzakonisht të madh, kemi edhe përdorimin e inteligjencës artificiale, nxënësit kanë nevojë ndoshta aty për aty të kërkojnë një përgjigje për një pyetje të caktuar, kështu që kuptoj që duhet të ndryshohet, por jo t’i lejohet nxënësit gjatë gjithë kohës ta përdorë atë, por vetëm me lejen e profesorit, kur ka nevojë e përdor, kur s’ka nevojë s’e përdor dhe përdorimi të jetë për qëllime të caktuara”, ka deklaruar Kafexholli.
Në Ministri të Arsimit nuk treguan nëse janë në dijeni për vështirësitë e zbatimit të udhëzuesit dhe nëse janë duke punuar në ndryshimin e tij.
Përdorimi i telefonave nga fëmijët pa kontrollin e të rriturve ka rezultuar edhe në përfshirjen e tyre në sfida vetëlënduese. Gjatë vitit të kaluar rreth 50 nxënës janë vetëlënduar në Fushë-Kosovë, Lipjan, Gjakovë e Kamenicë, pasi u frymëzuan nga disa sfida në rrjetin social “TikTok”.