Pas njëmbëdhjetë vjetëve të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, ish- hartuesit e saj thonë se ky dokument ka përmbushur misionin primar, themelimin e shtetit të Kosovës, por, sipas tyre, tani duhet të fillohet të mendohet për perspektivën e kësaj Kushtetute.
Tri vlera të përhershme që nuk guxojnë të ndryshojnë me asnjë reformë kushtetuese, sipas hartuesve të këtij akti më të lartë juridik, janë pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ishte hartuar më 9 prill të vitit 2008, derisa kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, të po të njëjtit vit. Kushtetuta e Kosovës bazamentin e ka në Dokumentin e Ahtisaarit, i njohur si Plani Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës dhe mbi bazën e të cilit edhe ishte shpallur pavarësia e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Ish-anëtari i Komisionit për hartimin e Kushtetutës, profesor Arsim Bajrami, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kushtetuta mund të rishikohet në disa aspekte, por, në përgjithësi ky model i Kushtetutës, sipas tij, është treguar i suksesshëm, pasi që është një model i një shteti liberal demokratik që bazohet tërësisht në sovranitetin e qytetarit.
“Duhet të fillohet të mendohet për perspektivën e kësaj Kushtetute sepse në rast se arrihet ndonjë marrëveshje eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë pjesë e kësaj marrëveshjeje duhet të jetë edhe çështja e vlefshmërisë së mëtejshme të Pakos së Ahtisaarit, dhe të diskriminimit pozitiv që zbaton Kushtetuta”.
“Kështu që në këtë rast unë mendoj se pas kësaj marrëveshjeje mund të hyhet të një rishikim substancial të Kushtetutës, një amandamentim të Kushtetutës, i cili do t’u jap fund privilegjeve që janë krijuar në kuadër të diskriminimit pozitiv si rezultat i Pakos së Ahtisaarit, sepse ajo marrëveshje duhet të përmbajë edhe fatin e mëtejshëm të planit të Ahtisaarit në Kosovë”, thotë Bajrami.
Si shtet me shoqëri shumetnike, Kosova ka një Kushtetutë e cila mund të ndryshohet vetëm me anë të votimit të dyfishtë, që nënkupton vota e dy të tretave të numrit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës si tërësi dhe votat e dy të tretave të deputetëve nga komunitetet pakicë.
Nisur nga kjo procedurë, ndryshimi i Kushtetutës në situatën aktuale politike në Kosovë, besohet se ka mbetur peng i votimit të dyfishtë, pasi që çdo propozim eventual për ndryshime duhet të miratohet edhe nga deputetët e komunitetit serb dhe komuniteve tjera.
Profesori Bajrami thotë se në rast se arrihet një marrëveshje në dialogun me Serbinë, duhet të shihet fati i mëtejshëm i kufizimeve të parashikuara me Planin e Ahtisaarit.
“Ndoshta mund të arrihet pëlqimi që të hiqen këto bllokada të dy të tretave, të cilat në praktikën 11-vjeçare janë treguar si elemente të bllokimit. Në kohën kur ato janë vendosur në Kushtetutë, qëllimi ka qenë që pakicat të mbrohen nga mbivotimi i shumicës dhe ato kanë degraduar në një element bllokues sepse pakica përmes votimit të dyfishtë ka bllokuar shtetin e Kosovës dhe vendimmarrje në Kuvend për çështjet vitale shtetërore”, thotë Bajrami, transmeton REL.