Qytetarët ndihmuan në gjetjen e mbetjeve mortore në Podujevë

Koordinatori i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka thënë se informacioni për mbetjet mortore, të cilat dyshohet të jenë nga lista e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, të gjetura ditën e mërkurë, është lokalizuar falë raportimit të qytetarëve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Gara theksoi se ky informacion u mor nga banorët e zonës që njoftuan komisionin pas gjetjes së mbetjeve kockore gjatë një ceremonie varrimi.

“Diku në fund të muajit janar kemi pranuar informatën nga banorët e komunës Podujevës mbi mundësinë ekzistimit të një lokacionit që potencialisht mund të ndërlidhet me rastin e viktimave të luftës, përkatësisht rastet e personave që vazhdojnë që të jenë në listën e personave të zhdukur, duke pasur parasysh që gjatë një ceremonie varrimi është hasur në mbetje mortore pjesa kockore, eshtërore të mbështjella me batanije, jo sipas specifikave ose sipas të rregullit dhe traditës fetare”, tha ai.

Gara tha se përkushtimi dhe mbështetja për familjarët që vazhdojnë të jetojnë dhimbjen e pritjes, është për t’u vlerësuar. “Banorët na kanë njoftuar neve dhe që është adresuar me shumë prioritet”, deklaroi ai.

Gara theksoi se ky është gërmimi i katërt në këtë zonë gjatë 26 viteve të kaluara, me 8 viktima të luftës të gjetura deri më tani, disa prej të cilëve ende nuk janë identifikuar.

“Komisioni ynë ka dalë në terren dhe ka marr informatat e nevojshme deri në sigurimin e urdhrit nga gjykata kompetente dhe zbatimin e urdhrit, dje kanë filluar gërmimet me angazhimin e institutit të mjekësisë ligjore përkatësisht të mjekëve ligjore nën mbështetjen e Komisioni Qeveritare, Drejtorisë të Policisë për hetimin e krijimit, gjatë gërmimeve është vlerësuar se është hasur ose janë gjetur të zhvarrosur mbetje eshtërore sipas ekspertëve po flasim për minimumin për  një person por presim të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore. Që të përcaktohet edhe numri i saktë dhe identiteti i tyre”, tha Gara për Ekonomia Online.

Ai shtoi se puna për gjetjen e të zhdukurve vazhdon, me lokacione të tjera të siguruara për gërmime.

“Si lokacion mbetet e pa shmangshme pjesë e agjendës, duke pasur parasysh që gjatë këtyre 26 viteve ky gërmim ka qenë i katërti me radhë, nga gërmimet paraprake, janë gjetur minimumi 8 viktima të luftës, dhe jo të gjitha të identifikuara përmes analizës ADN-së. Kemi edhe disa pikave që do të realizojmë ditëve në vijim. Krahas lokacionit në Obranoq tani kemi edhe lokacione të tjera të cilat janë siguruar urdhëresat për gërmim dhe zhvarrim, në lagjen Arbëria në Prishtinë, kemi lokacion në Komunën e Istogut. Jemi të angazhuar në vazhdimësi përpjekjet e vazhdueshme që të respektohet e drejta e familjarëve për të gjetur më të dashur e tyre”, tha Gara.

Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se autoritetet e Kosovës, të mërkurën kanë arritur t’i lokalizojnë afër varrezave të qytetit të Podujevës, mbetjet mortore të një individi, që dyshohet të jetë nga lista e personave të zhdukur me dhunë, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Sot, në varrezat afër Tjegullores në Podujevë, ekipet mjeko-ligjore nga IML, me mbështetje nga EULEX, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KQPZH, kanë arritur të lokalizojnë mbetjet mortore të një individi që dyshohet të jetë nga lista e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.