E-prokurimi (Prokurimi Elektronik) është një sistem digjital i përdorur nga institucionet publike për të kryer proceset e prokurimit në mënyrë elektronike. Si asnjëherë tjetër më parë, që tri ditë rresht, platforma e-Prokurimi është jashtë funksionit, duke krijuar një situatë të paprecedentë dhe duke futur në kaos të gjithë sistemin e prokurimit publik në Kosovë. Madje, nuk ka asnjë parashikim të saktë se kur do të kthehet, pasi zyrtarët e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik-KRPP kanë thënë se është një problem teknik që po janë duke punuar në tejkalimin e tij, shkruan Demokracia.com.
Platforma e-Prokurimi, e cila përbën një shtyllë kyçe të transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik të Kosovës, është jashtë funksionit qe tre ditë, duke shkaktuar një bllokadë të paprecedentë në funksionimin e institucioneve shtetërore dhe sektorit privat. Ky dështim teknologjik, i cili po vonon proceset e tenderimit, nënshkrimin e kontratave dhe procedurat emergjente të furnizimit, është zor të justifikohet thjesht si një problem teknik, është një krizë e thellë menaxheriale dhe një tregues i dështimit të institucioneve përgjegjëse për të garantuar funksionimin e pandërprerë të këtij sistemi jetik.
Siç ka kuptuar Demokracia.com, ky bllokim ka sjellë një sërë pasojash të rënda, duke filluar nga pamundësia e institucioneve për të zhvilluar aktivitetet e tyre të prokurimit deri te bllokimi i furnizimeve dhe shërbimeve kritike për qytetarët. Në këtë periudhë, asnjë tender nuk mund të shpallet, asnjë ofertë nuk mund të vlerësohet dhe asnjë dokument nuk mund të shqyrtohet apo arkivohet. Asnjë tender emergjent nuk mund të realizohet. Kjo situatë prek drejtpërdrejt sektorë jetikë si shëndetësia, arsimi dhe shërbimet publike, duke vonuar furnizimet me barna, investimet në infrastrukturë dhe ofrimin e shërbimeve bazë për qytetarët.
Autoritetet kontraktuese, të cilat përfshijnë institucione qendrore dhe lokale, nuk kanë asnjë mekanizëm alternativ për të zhvilluar procedurat e tyre, duke i detyruar të shtyjnë të gjitha proceset deri në rikthimin e funksionalitetit të platformës. Kjo vonesë do të sjellë kosto shtesë për shtetin, duke ndikuar edhe në zinxhirin e furnizimit të sektorit privat.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka njoftuar se problemi është “tërësisht i natyrës teknike” dhe se po ndërmerren masa për rikthimin e shërbimeve online.
“Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) njofton të gjithë Operatorët Ekonomik, Autoritetet Kontraktuese dhe të gjitha palët e intereseuara, se problemi teknik i raportuar me datë 04/03/2025 ende nuk është evituar plotësisht, prandaj ashtu siç është theksuar në njoftimin paraprak, nga data 04/03/2025, deri në datën e kthimit të shërbimeve online, KRPP do të ndërmarrë veprimet teknike në sistemin e prokurimit elektronik – duke siguruar vazhdimësinë e të gjitha proceseve të ndërlidhura me aktivitetet e prokurimit.
Pasi kemi pranuar kërkesa nga palët e interesuara për të ofruar sqarime rreth njoftimit të datës 04/03/2025, atëherë KRPP ju siguron që problemi është tërësisht i natyrës teknike dhe si rrjedhojë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të vënë në funksion shërbimet online. Paraprakisht ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në reagimin e fundit të bërë sot nga KRPP.
Megjithatë, ky sqarim është tejet sipërfaqësor dhe nuk ofron asnjë informacion të detajuar për natyrën e problemit, arsyet e bllokimit dhe kohën e pritshme për zgjidhjen e tij. Në vend që të japë një shpjegim të qartë dhe të përgjegjshëm, KRPP ka zgjedhur një qasje të vagullt, duke shmangur çdo diskutim për përgjegjësitë institucionale dhe ndikimin real të këtij bllokimi.
Në një sistem ku e-Prokurimi është i vetmi mekanizëm për shpalljen dhe menaxhimin e tenderëve, mosfunksionimi i tij është një dështim i rëndë që ngre dyshime serioze mbi kapacitetet institucionale për të menaxhuar sektorin e prokurimit publik.
A ka pasur ndonjë plan emergjent për raste të tilla? A është bërë ndonjë auditim paraprak i sistemit për të parandaluar ndërprerje të tilla? A ka transparencë mbi mënyrën se si po menaxhohet ky dështim? Për këto pyetje, institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë asnjë përgjigje konkrete.
Një tjetër shqetësim madhor është rreziku i manipulimeve dhe abuzimeve që mund të ndodhin si pasojë e kësaj situate. Platforma e-Prokurimi është krijuar për të reduktuar mundësitë për korrupsion, për të siguruar një proces të hapur dhe për të mundësuar monitorimin e të gjitha procedurave nga organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët. Me këtë platformë jashtë funksionit, rritet rreziku i marrëveshjeve të fshehta, shpërndarjes arbitrare të kontratave dhe mungesës së mbikëqyrjes mbi proceset e tenderimit.
Në mungesë të një plani B, institucionet po duken gati për të shpikur një justifikim të ri për përdorimin e procedurave emergjente.
Nëse kjo situatë nuk trajtohet me urgjencë dhe transparencë, shumë shpejt mund të bëhemi dëshmitarë të një sezoni të ri të tenderëve “me letra të djegura”, ku gjithçka mbyllet pas dyerve të errëta dhe publiku mbetet me duar në xhepa, duke pritur shpjegime që s’vijnë. /Demokracia.com/