Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit P.B., i cili akuzohet për veprën penale “Vrasja në tentativë”, si dhe për “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 20 dhjetor 2024, rreth orës 09:30, në rrugën “D” në Brekoc të Gjakovës. I pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje pronësore të vazhdueshme me të dëmtuarin Gj.B., ka përdorur armë zjarri ndaj tij. Pasi janë takuar pranë rrethojës së shtëpisë së të pandehurit dhe kanë debatuar, ky i fundit ka nxjerrë nga brezi një pistoletë Sig Sauer 9×19 mm. I dëmtuari ka tentuar të largohet me vrap, por i pandehuri ka qëlluar në drejtim të tij, duke e plagosur në regjionin e poshtëm të shpinës.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, P.B. ka mbajtur armën pa leje, në kundërshtim me Ligjin mbi armët të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë.