Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka mbrojtur formacionin e tij aktual 3-4-2-1. Portugezi i ka mbetur besnik formacionit që ka përdorur edhe kur drejtonte te Sporting Lisbonë, pavarësisht pretendimeve të përhapura se formacioni nuk funksionon në futbollin anglez.
“Problemi ynë nuk është sistemi I lojës, kjo është shumë e thjeshtë. Kjo është mënyra jonë e lojës. Mund të avancosh me tre apo me dy mbrojtës dhe një mesfushor që ulet poshtë në mbrojtje. Pra, është shumë e thjeshtë”, u shpreh Ruben Amorim.
Skuadra e tij do të luajë sot në Europa League kundër Real Societad. “Unë nuk e shoh futbollin ashtu. Ne kemi shumë probleme, por sistemi i lojës nuk është një i tillë. Ne po përpiqemi të punojmë për këto probleme”, shtoi Amorim
“Çdo sistem ka nevojë për karakteristika të ndryshme. Por unë kam qenë vërtet i qartë: Kam një ide se si të luaj futboll dhe sido që të jetë, nuk do ta ndryshoj atë. Dhe nuk po flas për sistemin, është mënyra se si e shoh futbollin“, komentoi trajneri i “djajve të kuq”.