Ish-kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka pasur informata se kryesuesi i tanishëm i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, “ka qenë i painteresuar për procesin zgjedhor”.
Halimi ka thënë se Osmani ka pasur informacione për qasjen “joserioze” të kreut të KQZ-së, por nuk ka ndërmarrë asnjë masë.
“Ky është rezultat i parregullsive të shumta, i degradimeve të shumë proceseve teknike në Sekretariatin e KQZ-së që janë evidentuar edhe më herët me raporte të ndryshme. Në periudhën 2013-2020 në secilin raport vendor dhe ndërkombëtar administrimi i procesit zgjedhor ka shënuar ngritje, tani kemi një tjetër raport që do të raportohet si mos më keq në raportet qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare… Nga Presidentja e poshtë, kemi parë degradimin e mbledhjeve në KQZ, ka pasur indicie që Presidentja ka pasur informata për qasjen joserioze të vetë kreut të KQZ-së dhe nuk çan kokën për procesin zgjedhor. Ai nuk ka adresuar me kohë proceset teknike sepse ka pasur ndryshime në rregullativën zgjedhore dhe nuk e ka shoqëruar ai dhe gjithë KQZ-ja, për çka presidentja e ka përgjegjësinë e tyre”, ka thënë ai.
Halimi ka shtuar se përgjegjësia e Osmanit është të shkarkojë anëtarët, por nuk po e bën edhe pse në KQZ, sipas tij, bëhet cirqe gjatë mbledhjeve. /KTV