Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka konfirmuar se ka numërim të votave në Vushtrri, pra të një subjekti politik.
Për Klankosova.tv, Valmir Elezi, zëdhënës për media në KQZ, ka pohuar se më shumë detaje rreth çështjes në fjalë mund të japë Prokuroria Themelore të Mitrovicës së Jugut.
“Në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, gjatë ditës së enjte KQZ do të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë një subjekti politik në komunën e Vushtrrisë”.
“Më shumë detaje për këtë çështje, mund t’iu japin në Prokurorinë e Shtetit. Gjatë kohës sa KQZ duhet të presë kalimin e afatit për ankesë në PZAP, do të bëhet rinumërimi i kërkuar”, ka thënë Elezi.
Për Klankosova.tv, poashtu ka folur edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, i cili tha se numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të LDK-së do të bëhet për shkak të një ankese që e ka bërë një kandidate për deputete.
Kurse, burime për Klan Kosovën bëjnë të ditur se numërimi i votave do të fillojë nesër në ora 10:00, në gjithsejtë 10 tavolina.
Pos zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që do të bëjnë rinumërimin e votave, të pranishëm do të jenë edhe hetuesit e prokurorisë.