Më në fund, pas gati një muaji nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka përfunduar procesi i numërimit të votave. Tani, mbetet vetëm certifikimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të zyrtarizuar rezultatet. Pas kësaj – një pyetje e pashmangshme pas çdo palë zgjedhjesh ngrihet sërish: çka ndodh më pas?
Këto punë i rregullon siç e dini Albini, jo – por Kushtetuta e Republikës.
Kuvendi
Sipas Nenit 66 të Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Ky është momenti kur politika e partive bëhet realitet parlamentar, kur rivalët e fushatës ulen dhe ndajnë pushtetin.
Në atë seancë, duhet zgjedhur Kryetari i Kuvendit. Sipas Nenit 67, ky post i takon grupit më të madh parlamentar, dhe kandidati për të duhet të marrë shumicën e votave të deputetëve.
Nëse ka një parti fituese të qartë, rruga është e qartë. Nëse jo, nis një lojë shahu politike, ku çdo lëvizje mund të ndryshojë balancat e pushtetit.
Qeveria
Hapi tjetër është zgjedhja e Qeverisë. Pas konstituimit të Kuvendit, Presidentja e Republikës duhet të propozojë një kandidat për Kryeministër.
Por nuk e bën këtë sipas dëshirës. Kushtetuta e obligon të konsultohet me partinë ose koalicionin që ka shumicën për të formuar qeverinë.
Kandidati për Kryeministër ka 15 ditë për të paraqitur emrat e kabinetit qeveritar për votim. Nëse qeveria miratohet, nis mandati i saj.
Nëse jo, Kushtetuta sërish ka përgjigje: Presidentja ka 10 ditë për të propozuar një emër tjetër. Dhe nëse as ky nuk kalon, atëherë vendi shkon sërish në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve.
Neni 67
[Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve]
1. Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë.
2. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.
2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.
4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.