Komuna e Prishtinës ka filluar punimet për një projekt infrastrukturor pa zgjidhur çështjet kontestuese me Ministrinë e Kulturës dhe pa marrë lejet e nevojshme. Pavarësisht mungesës së dokumentacionit të rregullt, punimet kanë filluar duke bllokuar njërin krah të një rruge kryesore në lagjen Arbëria, e cila është arteria kryesore për shumë banorë dhe biznese në zonë, shkruan Demokracia.com.
Kjo është hera e dytë që punimet fillojnë dhe ndalen përsëri, pa procedurat ligjore të plotësuara.
Tashmë ka disa ditë që janë ndalur përsëri.
Komuna e Prishtinës përmes një ceremonie më 6 nëntor 2024 ka përuruar nisjen e punimeve për ‘Ishullin Urban në lagjen Arbëria’, projekt ky që pritet të lidhë lagjen Arbëria me Pallatin e Rinisë. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ishte i pranishëm për të prerë shiritin e punimeve, të cilat janë konsideruar të kundërligjshme nga disa vëzhgues të çështjeve urbane.
Demokracia.com ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Prishtinës për këtë çështje, por ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare në lidhje me kohën e pritshme të rifillimit të punimeve apo planin për kompensimin e bizneseve të prekura.
Si pasojë, qytetarët dhe pronarët e bizneseve kanë nisur të ankohen për dëmet që po u shkaktohen nga kjo situatë. Ata shprehen të shqetësuar për qasjen e kufizuar në lokalet e tyre dhe për vështirësitë që po hasin në qarkullim.
Banorët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më parë për të zgjidhur këtë problem dhe të mos lejojnë vazhdimin e punimeve pa përmbushjen e procedurave ligjore.
“Ne nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar për këtë bllokim. Papritur e gjetëm rrugën të mbyllur dhe tani klientët e kanë të vështirë të na qasen”, tha për Demokracia.com njëri nga pronarët e bizneseve të prekura.
Një tjetër biznes, tashmë i njohur në atë zonë, është detyruar jo vetëm të mbyllë lokalin për disa muaj për shkak të bllokimit të rrugës, por edhe të zhvendoset në një lokacion tjetër. Demokracia.com ka biseduar me përfaqësues të kafe-barit Rockuzine, të cilët kanë konfirmuar se, për shkak të bllokadave në lagje, do të ndryshojnë vendndodhjen.
Deri më tani, Komuna e Prishtinës nuk ka marrë asnjë masë për të kompensuar bizneset e prekura, të cilat po përballen me humbje të konsiderueshme.
Siç ka mësuar Demokracia.com, punimet janë ndalur pasi Ministria e Kulturës ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Komunës për nisjen e ndërtimit pa leje.
Vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës kishte nisur realizimin e projektit “Ishulli urban”, duke manovruar me vendin ku planifikoheshin punimet. Tabelat informuese për projektin u vendosën matanë hekurudhës dhe rrugës automobilistike, aty ku ishin pozicionuar edhe mjetet e rënda për nisjen e punimeve. Por hekurudha përfaqëson vijën kufitare mes lagjes “Arbëria” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Meqenëse edhe Pallati i Rinisë dhe Sporteve mbrohet si monument, Inspektorati i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ndaloi punimet menjëherë pas vendosjes së tabelave, pasi Komuna nuk kishte përfillur përcaktimet ligjore për marrjen e pëlqimeve nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Pasi punimet u ndaluan, Komuna gjeti një tjetër zgjidhje: zhvendosi tabelat informuese matanë rrugës dhe hekurudhës dhe i nisi punimet në “Arbëri”. Vetëm më pas aplikoi për pëlqim, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve refuzoi projektin, duke argumentuar se është duke u hartuar Plani i Konservimit të Zonës Historike të Prishtinës dhe se projekti i Komunës duhet të rishikohet. Për më tepër, projekti kalon nëpër hapësirën e dedikuar për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit.
“Ne kemi qenë të detyruar që atë projekt ta dërgojmë në Prokurori në formën e kallëzimit penal. Komuna as nuk mund të nisë procedurën e prokurimit pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Faktet janë të qarta, andaj presim veprimet e organeve të drejtësisë” , ka deklaruar ditë më parë Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Ligji për Trashëgiminë Kulturore, i miratuar në vitin 2006, përcakton se për çdo ndërhyrje në pronat e trashëgimisë kulturore duhet të merret pëlqimi ose leja nga institucioni kompetent, që në këtë rast është Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Në kallëzimin penal, Ministria e Kulturës pretendon se, pavarësisht të gjitha shkeljeve, Komuna ka lidhur kontratë me punëkryerësin e “Ishullit” në vlerë prej 6.5 milionë eurosh dhe deri më tani ka paguar 1.156.000 euro.
Ndërkohë, pavarësisht kësaj mosmarrëveshjeje, hartuesit e projektit ideor të Teatrit të Operës kanë 15 muaj kohë për të punuar mbi projektin zbatues.
Kontrata për ndermin e mbikalimit ishte lidhur me vetëm konsorciumi NNP “Euro Construction”, “Euro Labi” shpk, “Beni Construction” shpk dhe “Arifaj” shpk, me një ofertë në vlerë prej 6,589,459.60 euro.
Demokracia.com, ka kërkuar një përgjigje edhe nga Ministria e Kulturës, lidhur më Ishullin urban dhe Tetarin e Operës. Ministria nuk ka kthyer përgjigje deri më tani.
Kontrata për ndermin e mbikalimit ishte lidhur me vetëm konsorciumi NNP “Euro Construction”, “Euro Labi” shpk, “Beni Construction” shpk dhe “Arifaj” shpk, me një ofertë në vlerë prej 6,589,459.60 euro.
Lexo edhe: