Në datën 7 tetor 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi heqjen e masës së sigurisë për mallrat e importuara nga Serbia në pikën kufitare të Merdarës, duke hapur rrugën për rikthimin e produkteve serbe në tregun kosovar pas një ndalese disa mujore, shkruan Demokracia.com.
Ky veprim u vlerësua si një hap pozitiv për normalizimin e tregtisë ndërmjet dy vendeve, megjithatë, ka sjellë një rënie të dukshme në importet e mallrave nga Shqipëria ditë pas dite. Statistikat e fundit të Doganës së Kosovës për muajin shkurt 2025, të analizuara nga Demokracia.com, tregojnë se Serbia ka forcuar më tej pozitën e saj si eksportues drejt Kosovës.
Në shkurt, importet nga Serbia arritën në 12,504,698.20 euro, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me muajin janar, kur ishin 10,340,587.21 euro. Nga ana tjetër, importet nga Shqipëria për të njëjtën periudhë ishin 9,590,791.83 euro, një shifër më e ulët krahasuar me Serbinë dhe me janarin, kur ishin 7,129,925.62 euro.
Për të kuptuar këtë ndryshim, krahasuar me vitin e kaluar, në janar 2024, Shqipëria kishte eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej 15,357,869.08 euro, ndërsa Serbia vetëm 5,699,900.22 euro. Pra, në më pak se një vit, ekuilibri tregtar mes dy vendeve është përmbysur në favor të Serbisë.
Ky trend tregon se, pavarësisht retorikës politike, vendimet ekonomike të Qeverisë po e zhvendosin ekuilibrin tregtar në favor të Serbisë, ndërsa Shqipëria mbetet humbësja më e madhe e kësaj lëvizjeje. Në të njëjtën kohë, prodhimet vendore përballen me një konkurrencë edhe më të ashpër, duke rrezikuar pozitën e tyre në tregun kosovar.
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë në vazhdimësi se një rritje e mëtejshme e importeve nga Serbia mund të dëmtojë më tej konkurrencën e produkteve vendore dhe të krijojë varësi më të madhe ekonomike nga një shtet me të cilin Kosova ka marrëdhënie të tensionuara politike./Demokracia.com /