Lajmërohet “zëri i popullit”, Dimal Basha thotë se i biri i heroit është “përfshirë në skema të pista”

Dimal Basha është bërë pjesë e orkestrimit të Lëvizjes Vetëvendosje kundër Hysen Çekajt, kandidatit të LDK’së i cili doli i dyti më i votuari në votat me postë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Basha i ka bërë thirrje Prokurorisë që të fillojë hetimet bazuar në “dëshmitë rrethanore”, kurse është shprehur i befasuar se si Çekaj doli i dyti më i votuari nga votat me postë tek LDK’ja.

“Në Kosovë e radhitin si të 29-tin, në ambasada 24-tin, kurse me postë tipi del i dyti më i votuari në parti, pra ka marrë vota më shumë se Kujtim Shala, më shumë se Hykmetja e se Abdullah Hoti… që tregon se ështe manipulim i pastër ku ka përfitu vet ky, i përfshim në skema të pista, e si pasojë edhe LDK-ja sigurisht sepse kur e ka fut veten e ka shti aty edhe LDK-në se s’ka mundur vetëm!”, thotë ndër të tjera Basha.

Basha ka pasur kritika edhe për rastin e Bahrije Hysenit, për të cilën ka thënë se “njihet si shumë e pasur” në Ferizaj.

Lëvizja Vetëvendosje ka orkestruar sulmet ndaj kandidatit të LDK’së, Hysen Çekaj.

Rezultatin e të birit të heroit e kanë interpretuar si manipulim me vota akterët nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Faton Peci, si ministri më i votuar i subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, ka pretenduar se Lumir Abdixhiku, kryetari i LDK’së, ia ka rritur artificialisht votat dhe ka “porositur vota për të dëgjueshmit e tij në parti”.

Në anën tjetër, Alim Rama, sekretari i VV’së, ka thënë se ky proces zgjedhor është i kurdisur për Çekajn.

Pjesë e orkestrimit ka qenë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka pretenduar se ekzistojnë argumente të shumta që tregojnë se LDK ka manipuluar votat me postë.