Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar sërish të dëshmojë në Zyrën e Prokurorit Special, i ftuar si dëshmitar për një rast të dyshuar korrupsioni me rezervat shtetërore.
Ky veprim i tij, jo vetëm që ka bërë bujë në vend, por është trajtuar edhe në mediat ndërkombëtare.
Është agjencia e lajmeve Associated Press ajo që ka raportuar për këtë refuzim, duke e sqaruar në pika të shkurta rastin.
“Kurti, i cili fillimisht u ftua në dhjetor dhe refuzoi, ka kërkuar që dëshminë ta japë në zyrën e tij. Ai nuk është i akuzuar në këtë rast, por zyrtarë tjerë po. Pak detaje janë bërë publike”, ka raportuar AP.
Agjencia më tej e citon Kurtin të ketë thënë se kërkesën e prokurorisë e konsideron si të motivuar politikisht.
“Po e përdorë dhe keqpërdorë lirinë e saj për të luftuar qeverinë, jo krimin e korrupsionin. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëshmoj”, u ka thënë Kurti gazetarëve, sipas AP.
Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe kryeprokurori e kanë mbështetur kërkesën për ta ftuar Kurtin dhe kanë hedhur poshtë pretendimet e tij se po mbajnë anë politike, duke shtuar se fjalët e tij “dëmtojnë rëndë funksionimin e institucioneve demokratike”.
Veç AP-së, për këtë rast kanë raportuar edhe shumë media tjera, si: “The Washington Post”, “The Independent”, “The Hamilton Spectator”, “Times Union”, “Yahoo News”, e shumë të tjera