Përparim Rama, arkitekt dhe kryetar i Prishtinës, ka dhënë dorëheqje nga kompania britanike Salons Management Limited, pas raportimeve që ngritën dyshime për një konflikt të mundshëm interesi. Edhe pse ligji ndalon zyrtarët e lartë të mbajnë pozita menaxheriale në kompani private, Rama figuroi si drejtor i kësaj kompanie deri më 6 shkurt 2025. Demokracia.com kishte raportuar më herët për këtë situatë, duke kërkuar sqarime nga institucionet përgjegjëse, të cilat nuk kishin kthyer ende një përgjigje zyrtare.
Karrierën si arkitekt dhe biznesmen, Përparim Rama e zhvilloi në Londër, duke hapur dhe mbyllur shumë kompani.
Kryetari i Prishtinës nga radhët e LDK-së, Përparim Rama, ka dhënë dorëheqje më 6 shkurt 2025 nga kompania britanike Salons Management Limited, ku ai mbante pozitën e drejtorit.
Kjo është bërë e ditur në përditësimin e të dhënave që ka bërë vetë kompania. Rama ishte në pozitën e drejtorit në këtë kompani që nga 10 janari i vitit 2018.
Demokracia.com kishte raportuar më herët se mbajtja e kësaj pozite nga një zyrtar i lartë publik mund të përbënte konflikt interesi, duke pasur parasysh ndalesat ligjore për zyrtarët publikë.
A e shkeli Përparim Rama ligjin, duke mbajtur pozitën e drejtorit në kompani private?
Në deklarimin e pasurisë për vitin 2023, Rama kishte theksuar se mbante aksione në tri kompani private, duke specifikuar se nuk mbante pozita menaxheriale. Megjithatë, të dhënat e publikuara në regjistrin britanik tregojnë se ai ishte drejtor aktiv në një prej këtyre kompanive që nga 10 janari 2018. Kjo përbën një kundërthënie të dukshme me detyrimet e tij si zyrtar publik.
Sipas Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, zyrtarët e lartë nuk mund të kenë pozita menaxheriale në kompani private. Në deklarimin e pasurisë për vitin 2023, Rama kishte specifikuar se mbante aksione në tri kompani, por nuk kishte përmendur ndonjë pozitë menaxheriale. Megjithatë, të dhënat nga regjistri britanik tregonin se ai ishte drejtor aktiv në njërën prej tyre që nga viti 2018.
Demokracia.com kishte kërkuar përgjigje nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit nëse kjo situatë përbënte shkelje të ligjit, por nuk kishte marrë një përgjigje.
Raportet financiare të kompanisë për vitin 2023, të miratuara më 13 nëntor 2024, tregojnë rritje të likuiditetit dhe ndryshime në strukturën e detyrimeve financiare, ndonëse kompania nuk kishte deklaruar të ardhura të qarta apo staf të punësuar. Demokracia.com i ishte drejtuar Ramës me pyetje rreth kësaj çështjeje, por ai nuk kishte dhënë një përgjigje deri më tani.
Dorëheqja e Ramës ka ardhur vetëm pak ditë pasi zyrtarët e lartë publikë janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit të Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/