“Ai ende shënon pak gola”, legjenda italiane Totti kritikon formën e Yamal

Legjenda e Romës, Francesco Totti ka kritikuar Lamine Yamal për mungesën e golave, teksa ylli i Barcelonës po vazhdon të ketë vështirësi ta gjejë rrugën e rrjetës.

Totti ka lavdëruar Yamal, por ka shprehur në të njëjtën kohë skepticizmin e tij për një aspekt të lojës së spanjollit. 

Ish-legjenda italiane ka sugjeruar se forma e Yamal përballë portës nuk ka qenë mjaftueshëm e mirë, me Yamal që ka dështuar të shënojë gol në La Liga që nga tetori i vitit të kaluar. 

I rritur në akademinë ‘La Masia’, Yamal e bëri debutimin e tij me ekipin e parë të Barcelonës nën urdhrat e Xavit në sezonin 2023/2024, duke shënuar shtatë gola në 50 ndeshje në të gjitha garat. 

Ai e nisi sezonin 2024/2025 nën menaxhimin e Hansi Flick në formë të jashtëzakonshme, duke realizuar pesë gola në 11 ndeshje në La Liga. 

Sidoqoftë, goli i tij i fundit në kampionat erdhi në fitoren e thellë 4-0 ndaj Real Madridit në ‘Santiago Bernabeu dhe që nga ajo ndeshje, Yamal ka 12 ndeshje pa realizuar. 

“Ai ende shënon pak gola. Ai është shumë i mirë dhe ‘fluturoi në Euro 2024. Ai dukej se po fluturonte, pastaj ra paksa, por ende po shënon pak gola”, ka thënë Totti. 

Yamal do të rikthehet në aksion mbrëmjen e së mërkurës, kur Barcelona do të vizitojë Benficën në ndeshjen e parë të 1/8-tës së Ligës së Kampionëve.