Hetimet për rastin e Rezervave Shtetërore, për të cilin është ftuar të dëshmojë Albin Kurti në Prokurorinë Speciale, e përfshijnë edhe shefin e qeverisë.
Kurti, në cilësinë e kryeministrit i ka nënshkruar dy vendime të dyshimta brenda pak ditëve në shkurt të vitit 2022 të cilat i hapën rrugë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për zhvillimin e procedurave sekrete për rritjen e rezervave shtetërore.
Një dosje e rastit, të cilin e publikoi Paparaci vitin e kaluar, përmban dy vendime të dyshimta të nënshkruara nga kryeministri Albin Kurti. Ato dyshohet se janë pjesë e hetimeve penale në rastin e Rezervave Shtetërore.
Procesi për lëndën që më vonë do të shndërrohej në aferën më të madhe korruptive të qeverisjes së Albin Kurtit nisi pikërisht me një vendim të kryeministrit.
Vendimet dyshohet se janë interpretuar ligjërisht gabim.
Vendimi i parë, i nxjerrë në një mbledhje të qeverisë më 23 shkurt 2022, parashihte alokimin e 10 milionë eurove nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike për rritjen e Rezervave Shtetërore. Mjetet do të vendoseshin në dispozicion të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të udhëhequr nga Rozeta Hajdari.
Dy ditë më vonë, në 25 shkurt të atij viti, MINT-i do t’ia parashtronte një kërkesë absurde kryeministrit Kurti: që vendimi për furnizim i Rezervave Shtetërore të përjashtohej nga prokurimi publik dhe kontrata të klasifikohej si sekret.
Dosja e lëndës tregon se si kryeministri, përmes nënshkrimit të një vendimi të dyshimtë, e kishte aprovuar kërkesën që të përjashtoheshin procedurat e prokurimit publik për furnizim të Rezervave Shtetërore. Lëndën e kontratës e kishte klasifikuar si sekret shtetëror.
Por, Ligji dhe rregullorja në të cilat është mbështetur qeveria për klasifikimin e lëndës si sekret, dyshohet se janë interpretuar gabimisht.
Ligji për Rezervat Shtetërore të Mallrave parasheh se blerja e çdo artikulli të rezervave duhet parashihet në mënyrë specifike në Ligjin për Ndarjet Buxhetore dhe se çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e këtyre artikujve duhet bërë përmes procedurave të hapura të prokurimit.
“Blerja, shitja dhe huazimi i rezervave shtetërore të mallrave Blerja e çdo artikulli të rezervave shtetërore të mallrave sipas këtij ligji duhet të parashihet në mënyrë specifike në ligjin përkatës vjetor për ndarjet buxhetore. Përveç kësaj, çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e këtyre artikujve duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik”, thuhet në nenin 20 të Ligjit.
Edhe Rregullorja për Prokurimin për Qëllime të Mbrojtjes dhe Sigurisë nuk i jep të drejtë vendimit të qeverisë.
Rregullorja thotë se procedurat sekrete të furnizimit mund të zhvillohen vetëm në rastin e blerjes së pajisjeve ushtarake.
Dosja i implikon në skandal edhe ministren Rozeta Hajdari, dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, dy kompani private turke e polake dhe sekserin Ridvan Muharremi.
Në dhjetor të vitit 2024, Prokuroria Speciale e ka thirrur për të dëshmiuar për këtë rast kryeministrin Albin Kurti. Por, Kurti ka refuzuar të paraqitet për dëshmi në Prokurorinë Speciale.
Ai, i ka ftuar prokurorët specialë që ta intervistojnë atë në zyrën e tij në Kryeministri.
Gjykata Themelore e Prishtinës, në fund të javës së shkuar e miratoi një kërkesë të Prokurorisë Speciale për urdhërimin e paraqitjes së Kurtit në Prokurori. Gjykata e caktoi të martën e 4 marsit si ditën e dëshmisë. Kurti, sërish nuk u paraqit.