Veliaj: Më mbajnë në burg, nga ‘rreziku i prishjes së provave’

“Arsyeja e dytë pse gjykatësi Bani pranoi nga Olsi burg për mua, është rreziku i prishjes së provave”.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur sërish sot nga paraburgimi i Durrësit, se pas arsyes së parë për rrezik arratisjeje të tij, sipas prokurorit të çështjes Ols Dado, motivi i dytë i mbajtjes në burg sipas Veliajt, është rreziku i prishjes së provave.

Ky reagim vjen pasi Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të arrestuar të Bashkisë Tiranë për kthimin e telefonit.

“Arsyeja e dytë pse gjykatësi Bani pranoi nga Olsi burg për mua, është rreziku i prishjes së provave. Po cilat prova do prish unë? Celularët i ka Olsi, timin dhe të nja 10 grarive në Tiranë, me të cilët mund të vojerizojë gjithë ditën e gjithë natën, të shohë çdo foto familjare, bebet, kërthizën, dhëmbin e parë, videot e fjalëve të para, fotot me gjyshin e ndjerë në plazh; të gjitha provat e nevojshme për ku e si jetojmë”, thotë Veliaj në postimin në rrjetet sociale.

Kryebashkiaku i Tiranës, e mbyll reagimin e tij me një mesazh për prokurorin Dado dhe gjyqtarin Erion Bani, ku thotë se “ju mendoni se jeni më të lirë se unë në burg, por ju burgun e keni në shpirt e njerëz të lirë nuk keni qenë kurrë!”.

Postimi i plotë

Se mos prishen lodrat!

Më ka marrë malli pa fund për ju të gjithë: Familjen, Tiranën e secilin që bën punë të mira në këtë vend.

Por, gjer sa të shihemi sërish, më duhet të vazhdoj çmontimin e kurthit pse jam në burg: rrezik ikje, prishje provash, rrezik shoqëror.

Dje rrëzova “frikën e ikjes” prej Ols Dados e Erion Banit, pasi kisha ikur 3 herë e isha kthyer 3 herë, teksa gatuhej çarku ndaj meje.

Arsyeja e dytë pse gjykatësi Bani pranoi nga Olsi burg për mua, është rreziku i prishjes së provave. Po cilat prova do prish unë? Celularët i ka Olsi, timin dhe të nja 10 grarive në Tiranë, me të cilët mund të vojerizojë gjithë ditën e gjithë natën, të shohë çdo foto familjare, bebet, kërthizën, dhëmbin e parë, videot e fjalëve të para, fotot me gjyshin e ndjerë në plazh; të gjitha provat e nevojshme për ku e si jetojmë.

Cilat prova do të prish unë?

Kanë edhe lodrat e fëmijëve dhe ish makinën e vjehrrit. Ç’a halli kanë? Mos do vete do formoj legot, e nga traktor do bëj vapor lodër, apo do marr makinën e Ben Xoxës e do e djeg në Fushë-Krujë a Mumajes si mjet i krimit?

Çfarë provash do prish?

Do vete në Yrshek të nxjerr fakirin nga shtëpia një katëshe apo do fshij statuset për balerinët e Preljocajt?

Boll u bëtë qesharakë! Po i thoni miletit se po punove do ta hash, po pate kurajo do dënohesh, po solle progres do të bëjnë gjëmën, po fitove do të të shqyejmë.

Olsi Dado dhe Erion Bani, ju mendoni se jeni më të lirë se unë në burg, por ju burgun e keni në shpirt e njerëz të lirë nuk keni qenë kurrë!