Avokati Ardian Bajraktari, tha se rasti i Kryeministrit Albin Kurti, i cili nuk po iu përgjigjet ftesave të Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit është për keqardhje.
Përmes një vendimi, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kishte urdhëruar Kryeministrin Albin Kurti që të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit më 4 mars 2025, në ora 10:00, në PSRK. Mirëpo, pikërisht në atë orë është paralajmëruar se Kurti do të jetë në Gjilan për të vendosur gurthemelin e një çerdheje të re në Gjilan.
Sipas avokatit, bazuar në këtë agjendë, shihet se kryeministri nuk ka vullnet që t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë dhe të reflektojë në raport me urdhrin e Gjykatës.
“Gjë e cila është e papranueshme, është për keqardhje që një kryeministër i vendit të mos i përgjigjet urdhrave dhe ftesave të ligjshme të organeve të zbatimit të ligjit, aq më tepër kur ftohet në kapacitetet e dëshmitarit. Vlerësoj dhe shpresoj që kjo sagë e këtij raporti të përfundojë sa më parë në drejtim të reflektimit në raport me peshën dhe përgjegjësinë që ka edhe si qytetar i vendit edhe si kreu i ekzekutivit, pasi që përçon një mesazh jashtëzakonisht të keq”, tha Bajraktari.
Avokati thotë se dispozitat e Kodit të Procedurës Penale janë të qarta që përcaktojnë se në rast se Kurti nuk prezanton apo nuk ka arsye të ligjshme që t’i përgjigjet ftesës, mund të gjobitet. Kurse, nëse përsëritet mund të paraburgoset për një muaj.
“Është neni 132, paragrafi 1 dhe 2, përcakton në mënyrë të qartë që secili person që thirret në cilësinë e dëshmitarit dhe nuk prezanton dhe nuk e arsyeton, ose nuk ka së paku arsye të ligjshme për mos me qenë në këtë rast në raport me urdhrin e gjykatës, atëherë fillimisht mund të jetë subjekt i ndëshkimit me gjobë, gjobë e cila mund të jetë deri në 250 euro, por nëse i referohemi normave të KPP-së nuk është normë që nuk i lë shumë hapësirë gjyqtarit, pra është normë imperative. Në rast se kjo bëhet e përsëritur, atëherë i njëjti mundë të jetë subjekt edhe i ndëshkimit me burgim deri në 30 ditë, përkatësisht 1 muaj”, shtoi tutje Bajraktri.
Po ashtu, ai tha se ky veprim procedural mund t’i lihet edhe policisë në këtë fazë të cilën gjendet procedura.
“Do të ishte mirë, që sipas nenit 118 të KPP, i jep mundësinë që në këtë fazë të procedurës, prokurorët të autorizojnë policinë që të kryejnë këtë veprim hetimor. Natyrisht është e papranueshme që të vijmë në këtë situatë, por vlerësoj që është njëra prej alternativave që të kryhet ky veprim procedural”, shtoi tutje avokati Bajraktari. /BetmipërDrejtësi