“Trump do të mund t’i shkarkonte prokurorët dhe gjyqtarët amerikanë”: Ish-gjyqtari i EULEX-it shkruan për Gjykatën Speciale

Ish-gjyqtari i EULEX-it në Kosovë, Dean Pineles, ia ka kushtuar një shkrim pozicionit të Amerikës në raport me Gjykatën Speciale, dhe relacionit të Donald Trump e Richard Grenell me Hashim Thaçin.

Në këtë shkrim të publikuar në Ballkan Insight, ish-gjyqtari i EULEX-it, Pineles, ka bërë një analizë të raporteve që Thaçi ka pasur me Trump, të gjykimit që po zhvillohet në Hagë si dhe të kohës kur Thaçit i ishte ngritur aktakuza.

Në këtë shkrim, ai përmend edhe raportin e Hashim Thaçit me Richard Grenell, dhe deklaratave të tij për lirimin e Thaçit.

“Por ka disa fakte të pandryshueshme. Presidenti Trump ka qenë mik dhe mbështetës i Thaçit në të kaluarën. Ai i beson Richard Grenellit”, ka thënë ndër të tjera ish-gjyqtari amerikan i EULEX-it.

Por, pjesa më e rëndësishme e shkrimit të ish-gjyqtarit, ndërlidhet me masat që mund të ndërmerr Amerika lidhur me Gjykatën Speciale.

Në një pjesë të artikullit, Pineles shkruan se Amerika mund të kërkojë tërheqjen e të gjithë stafit amerikan në Dhomat e Specializuara të Hagës. Kjo mund të përfshijë kryeprokuroren e Speciales, si dhe disa gjyqtarë amerikanë.

“Gjithashtu, përderisa ShBA-ja, mësa di unë, nuk ofron ndonjë financim të drejtpërdrejtë për Gjykatën Speciale, pasi kjo bëhet nga BE-ja, Trumpi prapë do të mund të përzihej në këto operacione të brendshme duke i shkarkuar të gjithë amerikanë që i janë dërguar Gjykatës nga Departamenti i Shtetit. Kjo do të mund t’i përfshinte kryeprokurorin e gjykatës, njërin nga prokurorët në rastin e Thaçit si dhe kryetarin e trupit gjykues në atë rast”, thuhet në artikull, transmeton Nacionale.

Pineles përmend edhe mundësinë e shfuqizimit të Gjykatës Speciale, por që sipas tij, kjo do ta linte pezull rastin e Thaçit.

“Por a nuk do të krijonte katrahurë ligjore shfuqizimi i gjykatës duke e lënë varur rastin e Thaçit? Po, do të krijonte, por pastrimi i rrëmujës do të ishte problem i dikujt tjetër. Më pak se eliminimi i gjykatës, Kuvendi do të mund ta amendamentonte Nenin 51 të Statutit për ta ofruar autoritetin për falje, i cili tani në mënyrë specifike përjashtohet, dhe për të ofruar autoritet më të madh për zbutjen e dënimeve nga një shtet tjetër, le të themi ShBA-ja, ku Thaçi do të mund të transferohej për ta vuajtur dënimin, nëse dënohet”, shkruan ish-gjyqtari i EULEX-it.

“Kështu, Kuvendit të Kosovës mund t’i bëhet trysni për t’i shfuqizuar amendamentin kushtetues dhe statutin e posaçëm me të cilin është themeluar gjykata si quid pro quo (në këmbim) të rivendosjes së ndihmave dhe mbajtjes së pranisë ushtarake. Kjo do t’i përbënte “veprimet e nevojshme ligjore” të mbështetura nga Grenelli”, shkruan ai më tutje.