Samiti i Londrës për Ukrainën, vjen reagimi i Kremlinit

Kremlini tha të hënën se zotimet e bëra nga udhëheqësit evropianë në samitin e Londrës për Ukrainën në fundjavë për shtimin e fondeve për Kievin nuk do të ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua të dielën me kryeministrin britanik, Keir Starmer, dhe me udhëheqës të tjerë perëndimorë në Londër, ku ata u pajtuan për të hartuar një plan të paqes për Ukrainën, i cili do t’u paraqitet Shteteve të Bashkuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të premten e javës së kaluar, Zelensky u përplas ashpër me fjalë në Shtëpinë e Bardhë me homologun amerikan, Donald Trump, i cili ukrainasin e akuzoi se “po luan kumar me Luftën e Tretë Botërore”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se rezultatet e samitit të Londrës, përfshirë një marrëveshje 2-miliardëshe për raketa të mbrojtjes ajrore nga Britania, do të lejojnë që armiqësitë të vazhdojnë, duke shtuar se është kritike që Zelensky të detyrohet për ta ndryshuar pozicionin e tij dhe për të kërkuar paqe.

“Është shumë e rëndësishme që dikush ta detyrojë vetë Zelenskyn që ta ndryshojë pozicionin e tij. Dikush duhet ta bëjë Zelenskyn që ta dëshirojë paqen. Nëse evropianët mund të bëjnë këtë, ata duhet të nderohen e të çmohen” – tha ai.