“Le të pinë bensedina dikush, e dikush le të duron se nuk kemi çka me i bë, rezultati është në kuti”.
Kjo është “këshilla institucionale” e dalë më 13 shkurt 2025 nga mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe nga përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i emëruar nga presidentja Vjosa Osmani, shkruan Demokracia.com.
“Këshilla institucionale” e Krasniqit është në kundërshtim të plotë me atë se çka duhet të përfaqësojë një anëtar i një institucioni që duhet të tregojë përgjegjësi institucionale përballë 2 mijë kandidatëve për deputetë, që duke qenë kandidatë kanë shfrytëzuar një të drejtë që ua jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, të drejtën që të zgjedhen.
Në nenin 45 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe në ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor.
Por, kjo e drejtë është zhvlerësuar publikisht nga Krasniqi, i cili ka reaguar në këtë mënyrë, pas ankesave të shumta në rrjete sociale për vonesat e KQZ-së në publikimin e rezultateve.
Sjellja e Krasniqit është në kundërshtim të plotë edhe me betimin e tij që e ka dhënë para presidentes Osmani në kohën e emërimit të tij.
Betimi i anëtarit të KQZ-së është nen i Ligjit për Zgjedhjet dhe si i tillë ka fuqi.
“Këshilla institucionale” e Krasniqit që kandidatët të pijnë qetësues, më së paku mund të quhet profesionale.
Por, pavarësisht kësaj situate, presidentja Osmani nuk ka ndërmarrë asnjë masë. /Demokracia.com/