Ministria e Arsimit ngec, komunat investojnë në platforma digjitale

Komunat synojnë të zhvillojnë platforma digjitale për arsimin, por mungesa e një qasjeje të unifikuar nga niveli qendror ka krijuar fragmentim dhe shpenzime të shumta. Ndërkohë, shkollat ende përballen me mungesën e pajisjeve teknologjike dhe qasjen e kufizuar në internet, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e këtyre platformave.

Tender prej 120 mijë eurosh ka hapur Komuna e Pejës për përpilimin e një platforme digjitale për zhvillimin e mësimit online.

Ky program sipas drejtorit të Arsimit, Naser Gega, do t’i ndihmojë nxënësit në përsëritjen e njësive mësimore, e do t’i testojë njohuritë e tyre përmes kuizeve.

Ai e pranon se mungesa e pajisjeve teknologjike në shkolla do të vështirësojë implementimin e saj.

Por zgjidhje shpreson të gjejë diku tjetër.

“Qasje kanë në telefona të mençur edhe mësimdhënësit edhe nxënësit, nuk është problemi aty. Por për të qenë më të pajisur duhet kohë, pasi mundësitë buxhetore për momentin nuk i kem”, ka thënë Gega.

Platforma të ndryshme digjitale për procesin mësimor synojnë të zhvillojnë edhe komunat e Prishtinës dhe e Prizrenit.

Në tenderin e hapur prej 140 mijë eurosh nga Komuna e Prishtinës nuk specifikohet lloji i programit.

E në tenderin e Komunës së Prizrenit thuhet se do të zhvillojnë një program për menaxhimin e institucioneve arsimore.

“Platforma në fjalë, jo vetëm që do të ndikojë në lehtësimin e punës së mësimdhënësve, mirëpo do të ndikojë pozitivisht edhe në ngritjen e cilësisë së arsimit. Përmes kësaj platforme, mësimdhënësit do të kenë mundësi të vendosin të gjitha të dhënat e nevojshme që nga evidentimi i orës, prezantimi i njësive mësimore, evidenca e tyre dhe e nxënësve, e deri te procesi i vlerësimit të performancës së nxënësve”, thuhet në tenderin e Komunës së Prizrenit.

Digjitalizimi është në objektivat kryesore të Strategjisë së Arsimit 2022-2026, shkruan Koha.

E zhvillimi i një platforme digjitale unifikuese është i paraparë në Strategji.

Sipas nivelit lokal, zhvillimi i një platforme gjithëpërfshirëse nga niveli qendror do të kursente buxhetin e shtetit.

“Sidomos ministria ka kapacitet që t’i kalojë programet e tilla, sikur aplikacionet të kishin me u ndërmarrë direkt nga ministria do të ishte shumë mirë sesa ne si komunë, pasi ish krijuar pastaj një aplikacion i përbashkët dhe format e komunikimit do të ishin më adekuate”, ka thënë drejtori i Arsimit në Pejë, Gega.

Në Ministri të Arsimit nuk treguan nëse janë duke punuar në këtë drejtim.

Në epokën e “shpërthimit të teknologjisë” në Kosovë llogaritet që 15 për qind e institucioneve publike të arsimit nuk janë të lidhura me internet.