Pamundësia e ndaljes së privatizimit

Ka dështuar plani për mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit deri në fund të dhjetorit 2024. Ndonëse ndaljen e aktivitetit të saj e ndërlidh edhe me dërgimin e Ligjit për Fondin Sovran në Kushtetuese, AKP-ja për katër vjet nuk ka arritur të përmbushë disa prej obligimeve të saj, siç janë trajtimi i ankesave të kreditorëve dhe bartja e tokave pyjore tek Agjencia e Pyjeve.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka dështuar që të përmbushë planin për mbylljen e veprimtarisë së saj, më së largu në fund të dhjetorit 2024. Me këtë nuk është realizuar as premtimi i kryeministrit Albin Kurti për shuarjen e kësaj agjencie, të cilën më 2021 ai e akuzonte për vjedhje e korrupsion.

“Kemi thënë se AKP-ja do të shuhet dhe AKP-ja do të shuhet. Që të shuhet APK-ja është e rëndësishme që të shkarkohet bordi, sepse kanë vjedhur shumë, por ne nuk i lejojmë të vjedhin më, kanë vjedhë me paga, kanë vjedhë me privatizime”, pati thënë Kurti në maj të vitit 2021.

Dështimin e përmbushjes së këtij plani Agjencia e Privatizimit e arsyeton me mosthemelimin e fondit sovran, meqë Ligji për themelimin e tij është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë opozitare.

Por janë edhe të tjera arsye që e kanë pamundësuar shuarjen e agjencisë. Ajo për katër vjet nuk ka arritur ta bëjë bartjen e pronave pyjore tek Agjencia e Pyjeve dhe të trajtojë ankesat e kreditorëve.

“Procesi i bartjes së aseteve në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës nuk ka përfunduar dhe një numër i aseteve janë ende në pritje të transformimit. Një çështje tjetër ka të bëjë me një numër të madh të kërkesave të kreditorëve dhe të punëtorëve të këtyre ndërmarrjeve, të cilat nuk janë trajtuar ende në tërësi. Janë rreth 2.400 ankesa të kreditorëve të NSH-ve dhe një numër i konsiderueshëm i ankesave të ish-punëtorëve të paraqitura në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Zgjidhja e këtyre ankesave është parakusht për përmbylljen e procesit”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Sipas avokatit Bejtush Isufi, projeksionet e AKP-së për mbyllje të aktivitetit kanë qenë joreale.

“Planifikimi nuk ka qenë real, pasi ka qenë i pamundur, ka pasur disa çështje të mëdha të cilat nuk kanë mundur që të mbylleshin brenda kësaj periudhe. E para dhe më e thjeshta janë rastet në Dhomën e Posaçme. AKP-ja nuk mund të mbyllet derisa të përfaqësojë lëndët dhe vendimet e saj që janë në procedurë në shqyrtim e sipër në dhomën e Posaçme në Gjykatën Supreme. Pastaj ka edhe çështje tjera të mbetura zvarrë dhe të pazgjidhura të cilat nuk kanë mundur në asnjë mënyrë që të përmbylleshin brenda kësaj periudhe”, ka thënë Isufi.

Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur prej gati një javësh rreth kësaj çështjeje, ndërkohë që njoftimet nga AKP-ja tregojnë për vazhdimin e procesit të privatizimit. Dhjetë ditë më parë Agjencia ka miratuar rregullore të re për shitjen e aseteve, e cila do të përcaktojë çmimin minimal të shitjes së aseteve, si dhe kategorizimin e tyre.

Stërzgjatjen e procesit të privatizimit avokati Isufi e konsideron të pajustifikueshme dhe me pasoja për ekonominë.

“Vonesat kaq të mëdha, që po hyjmë në një çerekshekulli që nga fillimi i privatizimit janë të pajustifikueshme dhe kjo ka të bëjë me të gjitha qeveritë e Kosovës që kanë qenë deri më sot për shkak se kjo ka një kosto jashtëzakonisht të madhe për ekonominë, për drejtësinë për punëtorët, për fusha dhe aspekte tjera dhe dimensione të tjera”, ka shtuar Isufi.

Procesi i privatizimit ka nisur më 2003, dy vjet pasi Korniza Kushtetuese për vetëqeverisje të përkohshme i dha kompetencë të rezervuar UNMIK-ut për të administruar me pronën publike dhe shoqërore. Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u krijua Agjencia Kosovare e Privatizimit, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit.