Sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, të dyshuarve u vazhdohet paraburgimi

Sipas Zëdhënëses së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, vendimi për paraburgimin e të dyshuarve është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale.

Gjykata Themelore e Prishtinës, të premten, ua ka vazhduar me nga dy muaj paraburgimin vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviç, të dyshuarit për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në mbrëmjen e 29 nëntorit.

Sipas Zëdhënëses së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, vendimi për paraburgimin e të dyshuarve është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, të dyshuarit me qëllim të shqetësimit serioz të banorëve dhe cenimit të rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, qëllimisht kanë dëmtuar pajisjet publike të ujësjellësit dhe kanë kryer veprën penale terroriste duke përdorur eksploziv dhe mjete eksplozive drejtpërdrejt në pjesën e kanalit dhe atë në infrastrukturën e betonit.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se të dyshuarit e kanë aktivizuar eksplozivin dhe si pasojë kanë dëmtuar rëndë dhe e kanë bërë të papërdorshëm për shfrytëzim të mëtutjeshëm ujin, kështu që ua kanë pamundësuar qytetarëve furnizimin me ujë për pije dhe e kanë rrezikuar prodhimin e energjisë elektrikë në nivel te vendit.

Më 29 nëntor rreth orë 19:00 një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, megjithatë dëmi material, sipas autoriteteve të Kosovës, ishte i madh, meqë ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.

Mu për këtë arsye, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – si asnjëherë më parë – mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media pak para mesnate duke njoftuar opinionin se sulmi “i rëndë kriminal, terrorist e dashakeq” gjenezën e ka në Serbi.