Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se është e domosdoshme që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të informojë qytetarët pse nuk janë procesuar në uebfaqe të gjitha rezultatet, ndërsa tha se numërimi i votave u bë me një tempo të ngathët.
“Sot është e premte, e KQZ-ja po tregon se sa vendvotime janë numëruar deri të mërkurën në mesnatë, pra para dy dite – informacion ky që tashmë publiku veçse e ka. Numërimi edhe mund të jetë transparent, por në raport me publikun, KQZ-ja ka qenë aq sa jotransparente, aq edhe jollogaridhënëse. Është domosdoshme që KQZ-ja t’i informojë qytetarët se pse nuk janë procesuar në uebfaqe të gjitha rezultatet, e mbi të gjitha, të tregojë se kur do të përmbyllet numërimi i të gjitha votave (mbi 75 mijë të mbetura) me një tempo të tillë – të ngathët – të punës!”, shkroi Cakolli.
Pak më herët, KQZ tha se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës, ndërsa tha se do të publikojë rezultatet në faqen e saj.