Një analizë e detajuar mbi çmimet në tregun e Kosovës për periudhën 2021-2024 tregon dallime të dukshme mes çmimeve të produkteve bazë në marketet moderne dhe ato tradicionale. Sipas të dhënave të mbledhura nga organizata “Data 4”, tregu modern, që përbën rreth 75% të vlerës totale të tregut, ofron çmime mesatarisht më të ulëta krahasuar me pikat tradicionale të shitjes, raporton Demokracia.com.
Ky hulumtim ka analizuar çmimet në zinxhirët më të mëdhenj të marketeve dhe gjashtë zinxhirë të tjerë kryesorë. Rezultatet tregojnë se produktet si buka, vaji ushqimor, djathi i freskët dhe mielli janë dukshëm më të lira në tregun modern.
Dallimet e Çmimeve Mesatare në Treg
- Djathi i Freskët: Çmimi mesatar në tregun tradicional është 5,48 euro, ndërsa në markete është 2,43 euro, një ulje prej -56%.
- Bukë e Bardhë: Nga 0,52 euro në tregun tradicional, çmimi mesatar në markete është 0,31 euro, një ulje prej -40%.
- Patatet: Nga 0,72 euro në tregun tradicional, çmimi mesatar në markete është 0,50 euro, me një ulje prej -30%.
- Vaji Ushqimor i Lulediellit: Nga 1,83 euro në tregun tradicional, çmimi mesatar në markete është 1,22 euro, një ulje prej -33%.
- Makarona: Nga 1,05 euro në tregun tradicional, çmimi mesatar në markete është 0,65 euro, një ulje prej -38%.
- Mielli i Grurit: Nga 0,92 euro në tregun tradicional, çmimi mesatar në markete është 0,47 euro, një ulje prej -49%.
- Orizi: Nga 1,69 euro në tregun tradicional, çmimi mesatar në markete është 1,09 euro, një ulje prej -35%.
- Sheqeri: Nga 1,24 euro në tregun tradicional, çmimi mesatar në markete është 0,85 euro, një ulje prej -31%.
- Uji Mineral Natyral: Nga 0,41 euro në tregun tradicional, çmimi mesatar në markete është 0,19 euro, një ulje prej -53%.
OJQ “Data 4” thekson se transparenca në çmimet e tregut është thelbësore për konsumatorët dhe konkurrencën e ndershme. Duke analizuar dhe krahasuar çmimet, organizata synon të inkurajojë bashkëpunimin me zinxhirët e marketeve për të përmirësuar qasjen në të dhëna dhe saktësinë e raportimit, duke ndihmuar kështu optimizimin e kostove për konsumatorët dhe krijimin e një tregu më efikas dhe të drejtë. /Demokracia.com/