Si arritën kompanitë private të mashtrojnë Gjykatën Kushtetuese -OSHP e fut në listën e zezë “Set – Ashensori”

Një kompani private në Kosovë është kapur duke falsifikuar dokumente tatimore për të fituar një tender nga vetë Gjykata Kushtetuese. Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë masa të buta ndaj kompanisë N.Sh.T Set – Ashensori, duke e përjashtuar nga pjesëmarrja në prokurimet publike për vetëm gjashtë muaj, shkruan Demokracia.com

Gjykata Kushtetuese, si autoritet kontraktues, kishte paraqitur një kërkesë më 5 nëntor 2024 për diskualifikimin e kompanisë Set – Ashensori, me arsyetimin se ajo kishte dorëzuar një vërtetim të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) që nuk ishte nxjerrë nga sistemi elektronik i ATK-së. Kjo dëshmi ishte një ndër dokumentet kyçe për pranueshmërinë e ofertës në tenderin e mirëmbajtjes dhe servisimit të ashensorëve të institucionit.

Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga OSHP, Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar verifikim nga ATK-ja, e cila më 24 tetor 2024 konfirmoi se vërtetimi tatimor i paraqitur nga Set – Ashensori nuk i përkiste fare këtij operatori ekonomik.

Në përpjekje për t’u mbrojtur, “Set – Ashensori” pretendoi se nuk kishte qenë në dijeni për falsifikimin e dokumentit dhe ia hodhi fajin një kontabilisti të kontraktuar nga vetë kompania. “Ne kemi një kompani të kontraktuar për çështje të kontabilitetit dhe ata kanë qenë përgjegjës për sigurimin e dokumenteve tatimore”, thuhet në përgjigjen e operatorit ekonomik drejtuar OSHP-së.

Megjithatë, OSHP e rrëzoi këtë pretendim, duke theksuar se përgjegjësia për dokumentet e dorëzuara i takon drejtpërdrejt operatorit ekonomik. “Këto janë çështje të brendshme organizative dhe për organin shqyrtues është e qartë se ka pasur manipulim me dokumente zyrtare”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Bazuar në nenin 99.2 të Ligjit për Prokurimin Publik, OSHP ka marrë vendimin për përjashtimin e operatorit ekonomik për një periudhë prej gjashtë muajsh, duke filluar nga 25 shkurti 2025 deri më 24 gusht 2025. Kjo do të thotë se Set – Ashensori nuk mund të marrë pjesë në asnjë aktivitet të prokurimit publik gjatë kësaj kohe.

Falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe mashtrimi në prokurim janë vepra penale të sanksionuara nga legjislacioni i Kosovës. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dënohet pasi cenon besueshmërinë dhe integritetin e administratës publike. Po ashtu, mashtrimi në prokurim publik, që përfshin paraqitjen e të dhënave të rreme ose manipulimin e procedurave të tenderimit, ndëshkohet me masa të rrepta ligjore për të parandaluar keqpërdorimin e fondeve publike dhe konkurrencën e pandershme.

Ky rast tregon se si disa kompani private, me synimin për të siguruar kontrata fitimprurëse, nuk hezitojnë të falsifikojnë dokumente zyrtare, madje edhe përballë institucioneve më të larta të drejtësisë. /Demokracia.com/