Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit i është refuzuar edhe kërkesa e dytë për vizitë humanitare në Kosovë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Në një përgjigje për Tëvë1, Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka thënë se pasi babai i Thaçi është liruar nga spitali dhe nuk ka ndonjë rrezik për jetë atëherë është marrë ky vendim pasi Thaçi nuk ka treguar arsye për lirimin e tij të përkohshëm.
“Z. Thaçi më 14 shkurt 2025 ka paraqitur kërkesë për lirim të përkohshëm për arsye humanitare. Duke balancuar të gjithë faktorët relevantë, duke përfshirë fazën e procedurës, akuzat me të cilat përballet z. Thaçi si dhe faktin se babai i z. Thaçi është liruar nga spitali dhe nuk ka asgjë që tregon se gjendja e tij shëndetësore është, në këtë moment, një krizë akute ose rrezik për jetën, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se, në rrethanat aktuale, z. Thaçi nuk ka treguar arsye për lirimin e tij të përkohshëm, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, Thaçi kishte kërkuar përmes mbrojtjes së tij lirimin e tij të përkohshëm në Kosovë për një ditë në mënyrë që të iu mundësohet ta vizitojë babain e tij.
Sipas mbrojtjes, babai i Thaçit ka pësuar një keqësim të gjendjes shëndetësore që nga vendimi i parë për refuzimin e vizitës në Kosovë në janar të këtij viti.
Vendimi thotë se mbrojtja ka parashtruar se babai i Thaçit është shtruar në spital në shkurt të 2025-ës.
“Ndërkohë që babai i tij është shpërndarë nga spitali, ai është pranuar për shërbim mjekësor [REDAKTUAR] dhe është vërejtur [REDAKTUAR] gjatë shtrimit në spital.
Mbrojtja thekson se babai i Z. Thaçi ka pasur [REDAKTUAR], që është [REDAKTUAR] për shkak të moshës dhe gjendjes së tij shëndetësore të përgjithshme. Gjithashtu, mjeku i tij trajtues ka vlerësuar se [REDAKTUAR]. Z. Thaçi është i shqetësuar se gjendja e babait të tij mund të [REDAKTUAR]”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, mbrojtja ka propozuar edhe vendin e vizitës e po ashtu se kush mund të jetë shoqërues, informata këto të cilat janë të redaktuara.
ZPS-ja pretendon se liria e kërkuar nga Thaçi paraqet rrezik për pengim dhe ndërhyrje në drejtësi ashtu sic e kishte theksuar edhe në kërkesën e parë të Thaçit për këtë vit lidhur me lirimin e përkoshhëm.