Ndërtimi i Spitalit të Kryeqytetit, histori premtimesh të thata

“Ndërtimi i Spitalit të kryeqytetit është bërë një histori e pafund në Prishtinë. Pavarësisht planifikimeve dhe buxhetimit të rregullt në Kuvend, ky projekt vazhdimisht shtyhet përpara pa filluar në praktikë. Komuna e Prishtinës vazhdimisht publikon ‘njoftime paraprake’ në E-përurim, duke paralajmëruar tenderimin e mundshëm të projektit, por deri më tani, kjo ka qëndruar në nivelin e thjeshtë të paralajmërimeve, shkruan Demokracia.com.

Ndërtimi i Spitalit të kryeqytetit është shndërruar në një seri të pafund pritjesh dhe premtimesh të pambajtura. Çdo vit, ky projekt përfshihet në buxhetin komunal si një linjë e veçantë, ndërsa autoritetet komunale publikojnë edhe ‘njoftime paraprake’ në E-prokurim, duke dhënë data për tenderimin e tij. Kjo ka ndodhur përsëri këtë vit, por ndryshe nga viti i kaluar, kur për nisjen e projektit ishin paraparë 12.8 milionë euro, kësaj radhe janë ndarë vetëm 1.2 milionë euro.

Zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës ka bërë ‘njoftim paraprak’ për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, një hap që teorikisht sinjalizon nisjen e procedurave tenderuese për projekte të mëdha. Sipas këtij njoftimi, vlera parashikuar e kontratës është 1,262,705.86 euro, ndërsa si datë e inicimit për ‘njoftim për kontratë’ është caktuar 20.03.2025.

Pavarësisht planifikimeve dhe buxhetimit të përsëritur, ndërtimi i Spitalit të kryeqytetit ende nuk ka nisur. Ky projekt, i cili pritet të përmirësojë ndjeshëm shërbimet shëndetësore për qytetarët e Prishtinës, vazhdon të mbetet vetëm në letër. Edhe pse Komuna e Prishtinës kishte parashikuar shpalljen e tenderit në fillim të vitit 2024, deri tani nuk ka pasur asnjë përparim konkret.

“Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës është një nga prioritetet e kryetarit Rama. Pas propozimit të gjashtë lokacioneve nga Komuna, një lokacion mbi 4 hektarë në Prishtinën e Re është përzgjedhur. Kryetari Rama ka kërkuar dy herë dorëzimin e projektit nga niveli qendror, por ende nuk kemi pranuar përgjigje”, thuhej në përgjigjen e komunës së Prishtinës për media për mos nisjen e punimeve në vitin e kaluar.

Rreth 4 hektarë tokë janë ndarë nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e spitalit të kryeqytetit. Toka komunale prapa Pallatit të Drejtësisë është vendi ku npritet të fillojnë punimet për ndërtimin e spitalit të nivelit sekondar, të garantuar me ligjin për kryeqytetin.

Në gusht të vitit 2022, kryetari Përparim Rama kishte premtuar se ndërtimi i spitalit do të fillonte gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi. Në vitin 2023 u bë vetëm prezantimi i dizajnit konceptual për spitalin, ndërsa kompania “ICME” ka përfunduar vetëm fazën e dytë të fizibilitetit.

Nw vitin 2022, Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, kishte njoftuar se me miratimin e buxhetit të kryeqytetit për vitin 2023 është paraparë edhe ndërtimi i spitalit të Prishtinës.

Përmes një statusi në Facebook, Sadiku kishte njoftuar se buxheti për investime kapitale për vitin e ardhshëm në këtë sektor është rrit për më shumëse 100 për qind.

 

Ndërtimi i spitalit ishte premtuar edhe nga ish kryetari Shpend d Ahmti dhe si i tillë ishte futur edhe si projeksion buxhetor.

Kryeqyteti mbetet i vetmi nga 7 rajonet e Kosovës që nuk ka një spital të tijin, duke detyruar qytetarët të mbështeten te Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), e cila është e mbingarkuar. Ligji për Kryeqytetin i miratuar në vitin 2018 e përcakton qartë të drejtën e Prishtinës për të pasur një spital të qytetit, por pas pesë vitesh dhe shumë premtimeve, ende nuk ka rezultate konkrete. /Demokracia.com/