Prokuroria ka konfirmuar raportimin e Klan Kosovës se viktima e dhunimit e vitit 2022, kur ajo ishte vetëm 11-vjeçe, është dhunuar sërish këtë muaj.
Për Klan Kosova, Prokuroria ka njoftuar se Prokurori i shtetit ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar, ndërsa sot me datën 28.02.2025 është caktuar seanca dëgjimore kundër katër personave të dyshuar për veprën penale.
“Personat të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale janë: Tre (3) persona me vepër penale ‘Dhunim’, dy (2) persona për vepër penale ‘Trafikim me njerëz’, si dhe dy (2) persona për vepër penale ‘Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’”, thanë nga Prokuroria për Klanin.
Ndërkaq, detaje për këtë rast Prokuroria nuk ka dhënë për faktin se viktima është e mitur dhe mund të dëmtohet rasti.
Vajza që u dhunua nga 10 burra e djem në qershor e gusht të vitit 2022, pësoi tronditje e trauma me pasoja të rënda për shëndetin e saj mendor e fizik.
Të lartcekurit janë në burg, por tani dyshohet se e mitura u dhunua sërish në fillim të muajit shkurt 2025, derisa ishte lajmëruar si e zhdukur.
Siç merr vesh televizioni, numri i të dyshuarve është i dyshifrorë, madje vetëm për një natë mendohet që plot tetë burra të kenë kryer marrëdhënie seksuale me të.
Klani jozyrtarisht kishte mësuar dje se katër prej tyre janë arrestuar si të dyshuar për trafikim me njerëz, dhunim e edhe për armëmbajtje pa leje.