Biçikletat e Komunës së Prishtinës, të blera për përdorim nga qytetarët, janë parë në një vend krejtësisht të pazakontë: në oborrin e një shtëpie private në lagjen Kalabria, madje disa prej tyre edhe brenda një serre.
Fotot e publikuara nga grupi “Vrojtuesit e Lagjes” tregojnë dhjetëra biçikleta të parkuara pranë një objekti të mbuluar me najlon, sikur të ishin në ndonjë proces kultivimi, e jo të gatshme për përdorim.
Këto biçikleta, pjesë e një projekti për transport të qëndrueshëm, duhej të ishin vendosur në 10 stacione publike. Për këtë investim, Komuna e Prishtinës shpenzoi rreth 500 mijë euro, me secilën biçikletë që kushtoi mbi 2,700 euro. Por në vend që të jenë në rrugët e qytetit, ato tani “pushojnë” në një oborr privat. /Demokracia.com/