Raport: Mbi 1.000 sirianë vdiqën në burgun e një aeroporti ushtarak të Sirisë nën pushtetin e Assadit

Më shumë se një mijë sirianë vdiqën në ndalim në një aeroport ushtarak në periferi të Damaskut, të vrarë me ekzekutim, torturë ose keqtrajtim në një qendër gjerësisht të frikshme, sipas një raporti që do të publikohet të enjten e në të cilin janë evidentuar viktimat në shtatë varreza të dyshimta.

Në raportin e ndarë në mënyrë ekskluzive me agjencinë e lajmeve “Reuters”, Qendra e Sirisë për Drejtësi dhe Llogaridhënie (SJAC) thotë se i ka identifikuar varrezat duke përdorur një kombinim të rrëfimeve të dëshmitarëve, pamjeve satelitore dhe dokumenteve të fotografuara në aeroportin ushtarak në Mezzeh, në periferi të Damaskut, pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor.

Disa zona të varrezave ishin në hapësirën e aeroportit, ndërsa disa të tjerë në mbarë Damaskun. Agjencia “Reuters” nuk i ekzaminoi dokumentet dhe nuk arriti që ta vërtetonte në mënyrë të pavarur ekzistencën e varrezave masive gjatë rishikimit të pamjeve satelitore.

Megjithatë, reporterë të kësaj agjencia panë shenja të tokës së shprishur në fotografitë e shumë vendeve të shënuara nga SJAC-ja. Dy nga zonat, njëra në pronën e aeroportit ushtarak në Mezzeh dhe një tjetër në varreza në Najha, shfaqin shenja të qarta të llogoreve të gjata të hapura në periudha që përputhen me rrëfimet e dëshmitarëve në raport.

Shadi Haroun, njëri nga autorët e raportit, tha se ai ishte në mesin e të ndaluarve. I mbajtur për disa muaj në periudhën 2011 – 2012 për organizim të protestave, ai e përshkroi marrjen e përditshme në pyetje me tortura fizike e psikike me qëllim që të detyrohej të jepte rrëfime të pabaza.

Sipas tij, vdekja vinte në forma të ndryshme. Edhe pse të ndaluarit nuk shihnin asgjë tjetër, pos mureve të qelive të tyre ose të dhomës së marrjes në pyetje, ata mund të dëgjonin “të shtëna sporadike, shkrepje për shkrepje, për çdo disa ditë”, transmeton nacionaleZ

Përpos sigurimit të dokumenteve, SJAC-ja dhe Shoqata për Personat e Ndaluar dhe të Zhdukur në Burgun Sednaya intervistuan 156 të mbijetuar dhe tetë ish-anëtarë të inteligjencës së forcave ajrore, shërbim sirian i sigurisë që ishte i ngarkuar me detyrat e vëzhgimit, burgosjes dhe vrasjes së kritikëve të regjimit.

Qeveria e re siriane ka lëshuar një vendim me të cilit ish-zyrtarëve të regjimit u ndalohet që të flasin publikisht dhe asnjëri nuk ishte i qasshëm për koment.

Qindra mijëra sirianë vlerësohet se janë vrarë nga viti 2011, kur shtypja e protestave nga regjimi i Assadit ishte shndërruar në luftë të shkallës së plotë. Assadi dhe babai i tij, Hafez Assad, i cili gjithashtu ishte president i Sirisë deri në vdekjen e tij në vitin 2000, janë akuzuar nga grupe për të drejtat e njeriut, qeveri të huaja e prokurorë të krimeve të luftës për vrasje të gjera jashtëgjyqësore, përfshirë ekzekutimet masive brenda sistemit sirian të burgjeve dhe për përdorim të armëve kimike kundër popullit sirian.