Goditje ndaj Maduros: Trumpi e ndalon eksportimin e naftës së Venezuelës në ShBA

Një leje e lëshuar nga Qeveria e ShBA-së, me të cilën gjigantit energjetik “Chevron Corp.” i lejohej nxjerrja dhe eksportimi i naftës venezuelase, do të marrë fund këtë javë, njoftoi të mërkurën presidenti amerikan, Donald Trump, duke e përfunduar atë që ishte bërë linjë jete financiare për shtetin e Amerikës së Jugut.

Në njoftimin e Trumpit në rrjetin “Truth Social”, Qeveria e presidentit Nicolas Maduroakuzohet për mospërmbushjen e kushteve demokratike për zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar si dhe për moslëvizje me shpejtësi të mjaftueshme për kthimin e imigrantëve venezuelas që janë caktuar për dëbim, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Në shkrimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë nuk u përmend në mënyrë të saktësuar kompania“Chevron” e as leja për të, e njohur si licencë e përgjithshme, me të cilën kompania përjashtohet nga sanksionet ekonomike dhe i lejohet eksportimi dhe shitja e naftës venezuelase në ShBA. Megjithatë, kjo është leja e vetme e lidhur me Venezuelën, të dhënat e të cilës përputhen me informatat që Trumpi i përmendi në shkrimin e tij.

Administrata e kaluar e ish-presidentit Joe Biden e kishte lëshuar këtë leje më 2022, pasi Maduroja ishte pajtuar që të punonte me opozitën politike të Venezuelës për zgjedhje demokratike. Sidoqoftë, zgjedhjet e korrikut nuk ishin as të lira, as të drejta dhe Maduro muajin e kaluar u betua në mandatin e tretë 6-vjeçar pavarësisht nga provat e besueshme se kundërshtari i tij kishte marrë më shumë vota, transmeton nacionale.

Qeveria e Bidenit me muaj pasta u kishte rezistuar thirrjeve nga opozita e Venezuelës e figura të tjera që ta shfuqizonte lejen, qëllimi i së cilës fillimisht, sipas ShBA-së, ishte që “ta mbështeste rivendosjen e demokracisë”. Opozita ka vlerësuar se Qeveria e Maduros ka pranuar rreth 4 miliardë dollarë përmes kësaj leje, e cila pritej të përtërihej të shtunën.

Venezuela shtrihet mbi rezervat më të mëdha të vërtetuara të naftës në botë dhe dikur i shfrytëzonte ato për ta fuqizuar ekonominë më të fortë të Amerikës Latine. Megjithatë, korrupsioni, keqmenaxhimi dhe më pas sanksionet ekonomike nga ShBA-ja e shkaktuan rënien e vazhdueshme të prodhimit.

Më shumë se 7,7 milionë banorë të Venezuelës janë larguar nga atdheu nga viti 2013, kur Maduroja u bë president. Shumica janë vendosur në Amerikën Latine dhe në Karaibe, por pas pandemisë, ata gjithnjë më shumë e kanë synuar edhe shkuarjen në ShBA.