DASH anulon takimin Rubio-Kallas

Një takim i planifikuar mes shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, dhe Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, u anulua papritur të mërkurën për shkak të “çështjeve të orarit,” ndërsa tensionet politike mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara janë rritur., shkruan Associated Press.

Zyrtarët nga të dyja palët fajësuan përplasjet në orare për mosmbajtjen e takimit, ndërkohë që të dy janë takuar për herë të fundit muajin e kaluar në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Gjermani.

Në javët e fundit, Presidenti Donald Trump ka trazuar partneritetin mes SHBA-së dhe Evropës duke premtuar rritjen e taksave mbi importet nga Evropa, për t’i barazuar me tarifat që, sipas tij, produktet amerikane përballojnë në BE.

Zyrtarët e BE-së kanë udhëtuar në Uashington për të shmangur një luftë tregtare.

Zyrtarët kryesorë të administratës Trump gjithashtu i kanë paralajmëruar evropianët se duhet të marrin përgjegjësinë për sigurinë e tyre, përfshirë atë të Ukrainës, dhe i kanë lënë mënjanë evropianët nga bisedimet e para me Rusinë për t’i dhënë fund luftës. Në një lëvizje të pazakontë, SHBA u nda nga aleatët e saj evropianë duke refuzuar të fajësojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës në OKB këtë javë dhe iu bashkua Moskës në votimin kundër një rezolute të mbështetur nga Evropa për Ukrainën.

Në përpjekje për të rregulluar marrëdhëniet, Presidenti francez Emmanuel Macron ishte në Uashington të hënën për një takim në Shtëpinë e Bardhë me Trumpin, duke kërkuar mbështetje.

Po ashtu, kryeministri britanik Keir Starmer, vendi i të cilit nuk është më anëtar i BE-së, por shpesh është në një linjë me bllokun kontinental për politikën e jashtme, pritet të vizitojë Uashingtonin të enjten.

Kallas vetë kishte thënë të hënën se do të mbante bisedime me Rubion “për çështjet që janë me interes për të dyja palët,” të cilat për BE-në janë kryesisht lufta e Rusisë në Ukrainë dhe marrëdhëniet transatlantike.

“Është e qartë se deklaratat që vijnë nga Shtetet e Bashkuara na shqetësojnë të gjithëve,” tha ajo për gazetarët pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së.

Kallas shprehu shpresën se marrëdhënia BE-SHBA mund të vazhdojë të funksionojë.

“Deri tani, nuk kemi ndonjë tregues që kjo nuk do të ndodhë. Sigurisht që do të ndryshojë, kjo është shumë e qartë. Por nuk duhet të hedhim poshtë diçka që ka funksionuar mirë deri më tani,” tha ajo.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se takimi i planifikuar, i cili nuk ishte përfshirë kurrë në orarin publik të Rubios, ishte anuluar për shkak të një “përplasjeje të pashmangshme të orarit.”

Rubio mori pjesë në një mbledhje të kabinetit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, e cila filloi vonë të mërkurën paradite.

Megjithëse takimi me Rubion u anulua, Kallas pritej të takohej me senatorë amerikanë dhe anëtarë të Kongresit për të diskutuar luftën në Ukrainë dhe lidhjet BE-SHBA gjatë vizitës së saj dy-ditore në Uashington dhe të merrte pjesë në një diskutim mbi këto çështje në institutin kërkimor Hudson Institute.