Një nismë e Shteteve të Bashkuara për ta rritur furnizimin me energji elektrike në Afrikë është zhbërë nga administrata e presidentit Donald Trump pas më shumë se një dekade punë, raportoi të mërkurën mediumi “Bloomberg News”, duke cituar persona të afërt me çështjen.
Pothuajse të gjitha programet “Fuqizoje Afrikën” janë futur në listën e mbarimit dhe shumica e stafit është shkarkuar, thuhet më tej në raportin në të cilin citohen burime të paidentifikuara, përcjell agjencia e lajmeve “Reuters”.
Disa programe që kanë mbetur, sidomos ato me të cilat synohen projekte ndërlidhëse me kompani amerikane, mund të mbahen në fuqi si pjesë e agjencive të tjera të Shteteve të Bashkuara, thuhet më tej në raport.
Nisma “Fuqizoje Afrikën”, e cila ishte nisur më 2013 nga presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, synon që t’u sjellë furnizim me energji elektrike dhjetëra miliona amvisërive në Afrikë.
“Secili program është duke iu nënshtruar rishikimit me qëllim të ristrukturimit të asistencës për t’u shërbyer interesave të ShBA-së” – raportoi “Bloomberg”, duke cituar një zëdhënës të Departamentit të Shtetit, transmeton nacionale.
“Programet që u shërbejnë interesave të vendit tonë do të vazhdojnë. Megjithatë, programet që nuk janë të rreshtuara me interesin tonë kombëtar nuk do të vazhdojnë” – tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit si përgjigje ndaj pyetjeve të mediumit.
Programi “Fuqizoje Afrikën” është operuar nga agjencia amerikane për ndihma të jashtme, USAID, caku i parë i profilit të lartë në përpjekje për t’i zvogëluar shpenzimet qeveritare. Këto përpjekje janë udhëhequr nga Departamenti i Efiçiencës Qeveritare, i cili drejtohet nga miliarderi Elon Musk.