Ofri Bibas, motra e pengut të liruar, Yarden Bibas, e kritikoi ashpër të martën kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke i thënë që “ta mbyllë gojën”, pasi ai në mënyrë të përsëritur e përshkroi vrasjen në robëri të bashkëshortes së Yarden-it, Shiri, dhe të djemve të vegjël, Ariel dhe Kfir, kundër dëshirës së familjes.
Zonja Bibas një pjesë të kritikave ua drejtoi edhe mediave izraelite, përdoruesve të rrjeteve sociale e diplomatëve për atë që ajo tha se është shkelje flagrante e dëshirave të familjes, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Publikimi i të dhënave të tilla pavarësisht nga kërkesat e përsëritura të familjes është “abuzim me një familje që ka kaluar nëpër 16 muaj ferr dhe ende e ka më të keqen para vetes”, shkroi Ofri Bibas në rrjetin “Facebook”, një ditë para funeralit të nipave dhe kunatës së saj, transmeton nacionale.
Netanyahu e kishte përshkruar vrasjen e djemve të vegjël në hollësi të ndjeshme në një fjalim para Komitetit për Veprim Publik Amerikë – Izrael të martën dhe duke mbajtur në dorë një fotografi të viktimave në një ceremoni ushtarake të dielën.
Pas fjalimit të Netanyahut të dielën, familja Bibas u dërgoi një letër proteste Zyrës së Kryeministrit dhe zyrave të tjera qeveritare, duke kërkuar që ato ta ndërpresin publikimin e hollësive të vrasjes së tri pengjeve, raportoi uebfaqja e lajmeve “Ynet”.
Familja gjithashtu lëshoi një deklaratë të shtunën përmes Forumit të Familjeve të Pengjeve dhe të të Zhdukurve, duke kërkuar nga mediat që “ta ndërpresin shtimin e hollësive ndaj faktit se Shiri dhe fëmijët u vranë nga pengmarrësit e tyre”.
Yarden, Shiri, Ariel dhe Kfir Bibas ishin rrëmbyer nga shtëpia e tyre në vendbanimin Nir Oz më 7 tetor 2023, kur mijëra militant të udhëhequr nga Hamasi e sulmuan pjesën jugore të Izraelit.