Nëntë vjet më parë Hashim Thaçi ishte zgjedhur president i Kosovës

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ishte zgjedhur president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve, më 26 shkurt 2016, mes tensionesh të larta politike.

Ai fitoi me 71 vota në raundin e tretë, pasi në dy raundet e para nuk arriti të siguronte dy të tretat e votave të deputetëve.

Hashim Thaçi mori detyrën e presidentit më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.

Para se të bëhej president, Thaçi kishte shërbyer si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe kryeministër i Kosovës në dy mandate (2007-2014).

Thaçi ishte kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ishte rizgjedhur vazhdimisht kryetar i partisë, deri në dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për president të Kosovës.

Hashim Thaçi shpalli Kosovës shtetin e pavarur më 17 shkurt 2008, udhëhoqi ekipin e Kosovës në bisedimet e Rambouillet në shkurt 1999 dhe ishte udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të luftës 1997–1999. Thaçi ishte lideri politik më i votuar në zgjedhjet e 8 qershorit 2014. Si kryeministër i Kosovës, ai udhëhoqi dialogun politik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që më 19 prill 2013 rezultoi në nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për angazhimin e tij për paqe dhe stabilitet, në vitin 2014, Hashim Thaçi u nominua për Çmimin Nobel për Paqe nga kongresistë dhe senatorë amerikanë, si dhe nga përfaqësues të Parlamentit Evropian.

Karriera politike e Hashim Thaçit filloi me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), e cila synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi u bë lider i Lëvizjes Studentore gjatë periudhës 1990-1993, vite kur pushteti i Beogradit mbylli institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe, dhe Universiteti i Prishtinës filloi të vepronte jashtë sistemit institucional.

Në vitin 1991, Thaçi u zgjodh prorektor-student i Universitetit të Prishtinës, ku dha kontribut në strukturimin dhe zhvillimin e procesit paralel mësimor universitar.

Hashim Thaçi ishte njëri nga themeluesit e organizatës politiko-ushtarake, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Nga viti 1997, Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryesoi delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambouillet, Francë, nga 6 deri më 22 shkurt 1999. Pas luftës, Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 deri në 2000.

Ai gjithashtu ka qenë anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), një strukturë e përbashkët qeverisëse e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe klasës politike kosovare, deri në vitin 2001, kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën pasluftës.

Në tetor 1999, Hashim Thaçi ishte njëri nga themeluesit e Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK). Pas ndryshimit të emrit në Partinë Demokratike të Kosovës, ai u zgjodh kryetar i saj në vitin 2000, një post që e mbajti deri më 26 shkurt 2016. Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit që përfaqësoi Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, për statusin politik të Kosovës, gjatë periudhës 2005-2007.

Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Më 17 shkurt 2008, si kryeministër, ai shpalli Kosovën shtet të pavarur. Thaçi ishte kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ai dha dorëheqje nga posti i presidentit për t’u nisur menjëherë drejt Hagës, për shkak të aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale. Në konferencën e tij të fundit si president, Thaçi tha se nuk do të lejonte të dilte si president i Kosovës në bankën e të akuzuarve para Gjykatës Speciale.