Kërkesat për rritjen e çmimit të rrymës, ZRRE thotë se do të ketë konsultime me publikun

Zyra e Rregullatorit të Energjisë është deklaruar rreth tarifave që zakonisht shpallen çdo 1 prill. ZRRE ka thënë se rritjen e çmimit të tarifave të rrymës e kanë kërkuar KOSTT, KEDS dhe KESCO.

“Kërkesa për përshtatjen e të Hyrave të Lejuara Maksimale për vitin 2025 është bërë nga KOSTT, KEDS dhe KESCO dhe është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Kjo kërkesë përfshin gjithashtu kërkesën për rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Të dhënat e sakta mbi datën e dorëzimit të kërkesave janë të disponueshme në raportet e publikuara nga ZRRE në faqen elektronike të saj.”

ZRRE thotë se përgjigja e tyre ndaj kësaj kërkese do të bazohet në një vlerësim të hollësishëm të aplikacioneve të paraqitura e më pas do të publikohet një raport për konsultim me publikun për 2 javë.

Ky institucion më pas e propozon një vendim përfundimtar të cilin e dërgon për miratim në bord.

Derisa të përfundojë ky proces, ZRRE thotë se nuk mund të prononcohet nëse do të ulen apo rriten çmimet e tarifave të energjisë elektrike këtë vit.

“Përgjigja e ZRRE-së ndaj kërkesës për rritjen e tarifave do të jetë e bazuar në një vlerësim të hollësishëm të aplikacioneve të paraqitura. Pas përfundimit të vlerësimit, ZRRE-ja do të publikojë një raport për konsultim me publikun, ku do të paraqesë analizat dhe rekomandimet e saj. Ky raport do të jetë në dispozicion për konsultim publik për një periudhë dyjavore. Pas shqyrtimit të komenteve të marra gjatë periudhës së konsultimit, ZRRE-ja do të propozojë një vendim përfundimtar, i cili do të dërgohet për miratim në Bordin e ZRRE-së. Deri në përfundimin e këtij procesi dhe publikimin e raportit konsultativ, ZRRE-ja nuk mund të prononcohet lidhur me mundësinë e rritjes apo uljes së tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025. Ky proces është i dizajnuar për të siguruar transparencë dhe për të marrë mendimin e publikut dhe palëve të interesuara para se të miratohet çdo ndryshim në tarifat e energjisë”, thuhet në përgjigjen e ZRRE’së për Express.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë.